Policët e akuzuar që kishin kryer kontrolle në diskotekën “Puls”: Nuk e dinim se firma s’ishte aktive

Gazetar: Petar Çaushevski

Policët që kishin kryer kontroll në diskotekën “Puls” në Koçan nuk e dinin se po shkruanin kallëzime ndaj një firme joaktive. Të dhënat mbi gjendjen aktuale të diskotekës policia e Koçanit i kishte kërkuar nga Regjistri Qendror. Ata nuk e kishin legjitimuar as Dejan Jovanovin, pasi i gjithë qyteti e dinte se ai ishte pronari i diskotekës. Këtë e dëshmuan para gjykatës tre policët, të cilët akuzohen se kanë futur të dhëna të pasakta gjatë kontrolleve në “Puls”.

“Të dhënat për firmën shënohen në procesverbalin për kundërvajtje dhe në kërkesën për inicimin e procedurës. Të dhënat janë siguruar nga Regjistri Qendror me kërkesë të administratës së stacionit policor”, deklaroi Kire Bogatinov, i akuzuar.

-Të dhënat për kompaninë janë marrë me kërkesë të administratës së stacionit policor

Aleksandar Temellkov, i cili ka qenë komandant i stacionit policor në Koçan gjatë kontrolleve në vitin 2023, si dhe të akuzuarit e tjerë, theksuan se nuk e dinin se çfarë është subjekt juridik aktiv apo joaktiv deri në momentin kur u është paraqitur kallëzimi penal. Gjatë kontrolleve në “Puls” në vitin 2023 janë zbuluar të mitur, ndërsa në objekt ndodhej fletë me emrin e firmës ndaj së cilës ata kishin bërë kallëzimet. Njëri nga të akuzuarit pretendon se shkrimi i tij në procesverbale është falsifikuar.

“Procesverbali për kontrollin e kryer dhe ai për kundërvajtjen e konstatuar dallonin në shkrim dore dhe kërkova që të bëhej ekspertizë, sepse procesverbali për kundërvajtjen nuk ishte me shkrimin tim”, tha Goran Llazarov, i akuzuar.

-Dallon shkrimi në procesverbale

Mbrojtja e të akuzuarve si provë dorëzoi në gjykatë vendime nga gushti i vitit 2025 nga Gjykata e Koçanit, me të cilat diskotekës “Puls” i janë shqiptuar gjoba për kundërvajtje, duke vlerësuar se kjo do të dëshmojë pafajësinë e të akuzuarve. Për zjarrin në “Puls”, Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit kërkon përgjegjësi nga 23 policë nga sektorë të ndryshëm, në tre aktakuza./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button