Polici kosovar dënohet me 2.700 euro, për 250 euro ryshfet

Zyrtari policor, Q.D u dënua sot nga gjykata e Pejës për akuzën se ka marrë 250 euro ryshfet nga një person në këmbim të kthimit të librezës së qarkullimit të veturës. Personit në fjalë iu shqiptua dënimi prej 6 muaj burgim duke llogaritur këtu edhe kohen e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak prej 120 ditëve. Me pëlqimin e të akuzuarit dënimi prej 6 muaj burgim u kthye në dënim me gjobë prej 2700 eurove.

Q.D. akuzohet se në maj të këtij viti ka marrë 250 euro ryshfet nga një person në këmbim të kthimit të librezës së qarkullimit të veturës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, zyrtari policor, përmes dëshmitarit P. D. siguron lejen e qarkullimit të veturës së të dëmtuarit V. K., dhe atë librezë nuk dorëzon në polici e as nuk ia kthen të dëmtuarit.Dosja e prokurorisë thotë se i akuzuari kërkon nga i dëmtuari që për kthimin e librezës t’i japë shumën prej 250 euro ose në të kundërtën nuk do t’ia kthej librezën.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari e njofton IPK-në, dhe pastaj takohet me të akuzuarin përballë një pompe të derivateve, dhe i dëmtuari ia dorëzon zyrtarit policor shumën prej 250 euro, dhe ky i fundit ia kthen atij librezën e qarkullimit.Në atë moment sipas prokurorisë zyrtari policor është arrestuar nga zyrtarët e IPK-së.

LEXO EDHE:

Back to top button