Policia Financiare hynë në Komunën e Tetovës – Reagon Kasami

Përgatiti: Vjollca Aliti

Policia Financiare mëngjesin e sotëm ka kryer kontroll në Komunën e Tetovës, përkatësisht në sektorin e çështjeve juridike dhe financiare, shkruan Alsat.

Kreu  i Tetovës Bilall Kasami tha se bëhet fjalë për kontrollim të lëndëve që kanë të bëjnë me lëndë të para 8 viteve. Sipas Kasamit kontrolli i sotëm i Policisë Financiare përbën presion politik ndaj tij me qëllim pengimin e punës së rregullt.

“Sot e kam në vizitë të pa ftuar Policinë Financiare për lëndë të cilat janë para 8 viteve. Nuk e kanë parë të arsyeshme të kontrollojnë punën e kryetares për dy mandate, por kanë ardhur për lëndë paraprake. Unë e vlerësoj se është presion politik për të penguar punën time si kryetar. Kanë ardhur në sektorët për çështje juridike dhe financiare. Sot kanë ardhur, sot ishte takimi i parë, kanë ardhur me lëndë kinse paraprake nga kryetari Sadi Bexheti”, tha Bilall Kasami, Kryetar i Komunës së Tetovës.

Nga Policia Financiare nuk saktësuan se për cilën periudhë konkretisht bëhet fjalë, por thanë se veprimi  është në përputhje me kërkesën e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.

“Policia Financiare tanimë disa muaj, mbledh të dhëna dhe informata dhe vepron me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Drejtoria, në punën e saj të rregullt qaset në mënyrë jo selektive, pa dallim, bazuar në të gjitha kompetencat ligjore dhe drejtimet e marra nga ana e Prokurorisë. Përderisa rasti është në procedurë para hetimore, në këtë moment nuk mund të ndajmë më shumë informacione relevante dhe kërkojmë që rasti mos të keqpërdoret dhe të përdoret për qëllime politike”, thonë nga Policia Financiare.

Kontrolli i Policisë Financiare vjen dy javë pasi në krye të komunës së Tetovës erdhi Bilall Kasami, 8 vjet pas qeverisjes së Teuta Arifit nga radhët e BDI-së. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button