Gazetar: Mihaillo Donev
Pas procedurës parahetimore rreth 2 vjeçare, policia financiare sot kontrolloi disa lokacione në të gjithë vendin – Kumanovë, Likovë dhe Zhelinë, ndërsa shtatë persona u arrestuan. Bëhet fjalë për vepra penale si evazioni fiskal dhe pastrimi i parave, që përfshijnë persona fizikë dhe juridikë. Kontrollet u kryen me urdhër të prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe dëmi i bërë në buxhet llogaritet afër shtatë milionë euro.
“Në aksionin me ndihmën e SAE “Tigër”, 7 persona u privuan nga liria dhe u sollën para një gjyqtari të procedurës paraprake, dhe një person është i pakapshëm për autoritetet e ndjekjes. Qëllimi është ekspozimi i plotë i një grupi kriminal, që ka vepruar për një periudhë të gjatë kohore dhe që ka për qëllim kryerjen e veprave penale si “Bashkim kriminal”, “Evazioni fiskal”, “Mashtrim fiskal” dhe “Pastrim i parave”, me qëllim që organizatorët të marrin përfitim të paligjshëm të pasurisë prej mbi 430 milionë denarë”, thonë nga Drejtoria e Policisë Financiare.
Megjithëse shtatë persona janë arrestuar deri më tani dhe një është në arrati, jozyrtarisht, në këtë rast janë përfshirë gjithsej 13 persona dhe 10 kompani. Aktivitetet e individëve dhe kompanive u monitoruan për një periudhë të gjatë kohore dhe prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit do të kërkojë paraburgim për të ndaluarit. /Alsat.mk








