Policia Financiare ngre kallëzim penal ndaj ish kreut të Odës Stomatologjike dhe anëtarëve të komisionit profesional
Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Policia Financiare ka dorëzuar kallëzim penal ndaj disa personave, përfshirë ish kryetarin e Odës Stomatologjike dhe disa anëtar të Komisionit për çështje profesionale stomatologjike. Ata dyshohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe përfitim të paligjshëm prej rreth 32 milionë denarësh.
“I dyshuari kryesor M.D duke tejkaluar kufijtë e autorizimeve zyrtare të dhëna nga Ministria e Shëndetësisë për lëshimin, rinovimin, vazhdimin, dhe heqjen e licencave për punë të mjekëve stomatologë, me vetëdije dhe me qëllim të paramenduar ka lidhur kontrata me shoqata jo ekzistuese. Përmes këtyre kontratave, stomatologët kanë fituar pikë për rinovimin e licencave në mënyrë të kundërligjshme”, thonë nga Polica Financiare.
-M.D ka tejkaluar kufijtë e autorizimit zyrtarë
-Stomatologët kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme pikë për rinovimin e licencave
Sipas Policisë Financiare, i dyshuari i parë ka qenë themelues, nënshkrues i autorizuar i llogarive bankare dhe një nga drejtuesit e Shoqatës së Doktorëve të Mjekësisë Dentare. Nëpërmjet kësaj shoqate, ai ka anashkaluar sistemin dhe ka vepruar në kundërshtim me Rregulloren për zhvillim të vazhdueshëm profesional dhe Ligjin për mbrojtje shëndetësore.
“Në koordinim me të dyshuarit të tjerë, janë nxjerrë vendime dhe janë lidhur kontrata me qëllim organizimin e një numri të madh ngjarjesh vjetore sesa ai i përcaktuar në rregullore, duke mundësuar përftim pasuror për Shoqatën e Doktorëve të Mjekësisë Dentare, Shoqatën Stomatologjike të Maqedonisë dhe Shoqatën Stomatologjike të Shqiptarëve. Mjetet nga pagesat e mjekëve stomatologë janë derdhur në llogaritë bankare të këtyre subjekteve për të gjitha ngjarjet e akredituara dhe realizuara në mënyrë të kundërligjshme, ndërsa për këtë qëllim, shoqatat nuk kanë qenë të regjistruara si persona juridikë”, shtojnë nga Policia Financiare
-Janë organizuar më shumë ngjarje se sa lejohet
-Pagesat janë bërë në shoqata të paregjistruara
Në skemën e mashtrimit sipas Policisë Financiare është i përfshirë edhe drejtori aktual i odës./Alsat.mk.








