“Poligraf”: Dezinformata janë sulmet e Kremlinit se Osmani në Ukrainë spekuloi për viktimat e agresionit rus

“Poligraf”: Dezinformata janë sulmet e Kremlinit se Osmani në Ukrainë spekuloi për viktimat e agresionit rus

Më 17.01.2023, Ambasada e Rusisë në Maqedoninë e Veriut botoi në Fejsbuk se “kryesuesi i OSBE-së Bujar Osmani dje në Ukrainë spekuloi për “viktima të agresionit rus”, duke pranuar propagandën e regjimit në Kiev.” Sulmet e ambasadës ruse ndaj kryesuesit aktual të OSBE-së u botuan në më tepër media maqedonase.

 

Është e vërtetë se, si kryesues i OSBE-së, Bujar Osmani dënoi ashpër “agresionin e vazhdueshëm rus kundër Ukrainës”. Mirëpo, shprehjet “agresioni rus kundër Ukrainës” dhe “agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës” nuk janë spekulime të Osmanit, por shprehje që përdoren edhe nga Kombet e Bashkuara, edhe nga Bashkimi Evropian, edhe nga Këshilli i Evropës, edhe nga OSBE-ja, edhe nga Parlamenti Evropian, si dhe nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si Amnesty International.

Për shembull, Rezoluta e Parlamentit Evropian e 6 tetorit 2022 dënon “luftën e agresionit të pajustifikuar, të paprovokuar dhe të paligjshëm kundër Ukrainës nga ana e Rusisë” si dhe “shkeljet masive dhe të rënda të të drejtave të njeriut dhe krimet e luftës të kryera nga forcat e armatosura të Rusisë, ndihmësve të saj dhe autoriteteve pushtuese të instaluara nga Rusia në Ukrainë.”

Njëkohësisht, kur Osmani apeloi se “vuajtjet njerëzore duhet të ndalen”, ai iu referua raportit të janarit të Komisarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, i cili “dokumenton mbi 18.000 viktima që nga fillimi i agresionit”, dhe vë në dukje se “numri real i personave të vdekur apo të plagosur është me siguri më i lartë.”

Vërtetë, raporti i OKB-së i 16.01.2022 i konfirmon deklaratat e Osmanit: “Nga 24 shkurti 2022, kur filloi sulmi i armatosur i Federatës Ruse kundër Ukrainës, deri më 15 janar 2023”, janë dokumentuar “18,358 viktima civile në vend: 7,031 të vrarë dhe 11.327 të plagosur.”

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Guteresh, gjashtë muaj pas invazionit rus ndaj Ukrainës, theksoi se “gjatë kësaj periudhe shkatërruese, mijëra civilë u vranë dhe u plagosën, duke përfshirë qindra fëmijë”.

Prandaj, sulmet e Kremlinit se Osmani ka spekuluar “për “viktima të agresionit rus”, duke pranuar propagandën e regjimit të Kievit”, i vlerësojmë si dezinformata, të cilat defokusojnë opinionin nga faktet për mijëra viktima nga ky agresion ushtarak.

LEXO EDHE:

Back to top button