Poligraf: Kush dezinformon se me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, do të bëhemi “Bosnjë e dytë”?

Poligraf: Kush dezinformon se me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, do të bëhemi “Bosnjë e dytë”?

Në emisionin “Pro apo kundër” në TV Alfa më 06.03.2023, i ftuari Kristijan Benito ka paraqitur dezinformata dhe analogji të rreme se me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, vendi do të bëhet “Bosnjë e dytë”: “Është shumë e dëmshme përfshirja e bullgarëve në kushtetutë, sepse do të na bëjë një Bosnjë të dytë. E dimë, apo jo, se ekzistojnë tre popuj konstitutivë në Bosnje, këta janë boshnjakët, serbët dhe kroatët. Për dallim nga Bosnja, ne do të kishim shqiptarë, bullgarë dhe qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

 

Mirëpo, amendamentet e paralajmëruara kushtetuese nuk nënkuptojnë futje të “popujve konstitutivë”, si në kushtetutën e Bosnjës dhe Hercegovinës. Për shembull, në konkluzionet e Këshillit të BE-së të 18.07.2022, paralajmërimi i ndryshimeve kushtetuese interpretohet në kontekst të “forcimit të të drejtave të barabarta të personave që u përkasin pakicave dhe komuniteteve në Maqedoninë e Veriut”. Në këto përfundime, bullgarët nuk përmenden si “popull konstitutiv”, por si “qytetarë që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e një populli tjetër”.

Edhe në protokollin e miratuar nga mbledhja e dytë e komisionit ndërqeveritar nuk përmenden popuj konstitutivë, por “qytetarët që jetojnë në territorin e shtetit dhe që janë pjesë e popujve tjerë, si populli bullgar”.

Preambula ekzistuese e Kushtetutës fillon me “Qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, populli maqedonas, si dhe qytetarët që jetojnë brenda kufijve të saj që janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak dhe të tjerë..”. Nuk ka fare paralajmërime për ndryshime kushtetuese për të fshirë popullin maqedonas, por për të shtuar një pjesë të popullit bullgar, krahas pjesëve të popujve tjerë të përmendur.

Rrjedhimisht, e vlerësojmë si dezinformatë pretendimin se me ndryshimet e paralajmëruara kushtetuese nuk do të ketë popull maqedonas, e se me përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë do të paska tre popuj konstitutivë – “shqiptarët, bullgarët dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Prandaj, gjithashtu e vlerësojmë si analogji të rreme krahasimin e Maqedonisë së Veriut me Bosnjën dhe Hercegovinën.

LEXO EDHE:

Back to top button