Poligraf: Pretendimet se i dënuari Daravellski nuk mbetet në burg dhe se “i është vjetërsuar ekzekutimi i dënimit” janë të pabaza

Poligraf: Pretendimet se i dënuari Daravellski nuk mbetet në burg dhe se “i është vjetërsuar ekzekutimi i dënimit” janë të pabaza

Duke u thirrur në “burime të mirëinformuara”, portali Plusinfo, më 10.01.2023 publikoi një titull sensacionalist: “DARAVELLSKIT I ËSHTË VJETËRSUAR EKZEKUTIMI I DËNIMIT. Në “Idrizovë” do të bëjë vetëm një shëtitje”.

 

Sipas këtyre burimeve të paidentifikuara, “Daravellski ka vendosur të hyjë në Maqedoni, pasi përmes avokatëve të tij është bindur se veprat e tija janë të vjetruara dhe se nuk mund të mbahet për të vuajtur dënimin me burg me të cilin ishte gjykuar në vitin 2007”.

Edhe portale të tjera pohuan se Daravellski nuk mbetet në burg, sepse “ekzekutimi i dënimit është vjetërsuar”.

Mirëpo, Gjykata Themelore e Kumanovës më 11.01.2023 njoftoi se nuk ka ndodhur vjetërsim i ekzekutimit të dënimit: “Duke pasur parasysh se nga veprimi i fundit i ndërmarrë nga gjykata nuk ka kaluar periudhë prej dhjetë vjetësh,  e nuk ka kaluar as dyfishi i kohës sa kërkohet sipas ligjit për vjetërsim të ekzekutimit të dënimit, vjetërsimi nuk ka ndodhur”.

Të njëjtën ditë, edhe Gjykata Themelore Penale e Shkupit reagoi ndaj spekulimeve për vjetërsimin e mundshëm të ekzekutimit të sanksionit, përkatësisht vjetërsimin e ndjekjes penale: “Njoftojmë opinionin se vjetërsimin e ekzekutimit e cakton gjykata sipas vendbanimit të fundit të të dënuarit, përkatësisht Gjykata Themelore në Kumanovë, ndërsa lidhur me vjetërsimin e ndjekjes penale vendos Gjykata Themelore Penale e Shkupit, në rast të përsëritjes eventuale të procedurës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Në Udhëzimet për Raportim Etik të Onlajn Mediave të Këshillit të Etikës thuhet se “Në raportimin për procedurat hetimore dhe gjyqësore, mediat online do t’u referohen informacioneve nga institucionet zyrtare hetimore dhe gjyqësore, pa qasje sensacionale në raportim.” Publikimi i informacioneve të paverifikuara për rastin Daravellski është një tregues se këto udhëzime nuk janë respektuar.

Edhe pretendimet se i dënuari nuk mbetet në burg dhe se “Ekzekutimi i dënimit është vjetërsuar” u treguan si të pabaza. Por, procedurat gjyqësore vazhdojnë më tej. Prandaj, portalet duhet t’u përmbahen udhëzimeve etike, të cilat thonë se “Mediat online nuk duhet të raportojnë me paragjykime dhe të bëjnë gjykime të nxituara për fajësinë e personave të dyshuar, as të paragjykojnë përfundimin e proceseve gjyqësore, për të mos ndikuar në autoritetet gjyqësore dhe në rrjedhën e procedurave”.

LEXO EDHE:

Back to top button