Portugalia mban zgjedhjet parlamentare

Portugalia mban zgjedhjet parlamentare

Qytetarët në Portugali votojnë më 10 mars në zgjedhjet parlamentare dhe përballen me zgjedhjen midis një qeverie të qendrës së djathtë apo t’i japin edhe një mandat qendrës së majtë.

Partia e ekstremit të djathtë, Chega, sipas sondazheve, është rritur dhe mund të luajë rol në bisedimet për koalicionin qeverisës pas zgjedhjeve, shkruan REL.

Çështjet që mbizotëruan fushatën në shtetin më të varfër të Evropës perëndimore përfshinin krizën e strehimit, rrogat e ulëta, gjendja në sistemin shëndetësor dhe korrupsioni.

Qendrat e votimit u hapën në orën 08:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00 në Portugali dhe një orë më vonë në arkipelagun e Azores. Rezultatet e para pritet të publikohen në mesnatë.

Zgjedhjet e parakohshme mbahen pasi katër muaj më parë kryeministri socialist, Antonio Costa, dha papritur dorëheqje për shkak të një hetimi për ryshfet. Në këto zgjedhjet pritet përballja e dy partive të qendrës, Partisë Socialiste (PS) dhe Partisë Social Demokrate (PSD), që qenë në pushtet herë njëra e herë tjetra që nga rënia e diktaturës fashiste pesë dekada më parë.

Në garë është edhe koalicioni i partive të djathta, Aleanca Demokratike (AD). Ky koalicion, sipas shumicës së sondazheve prin, por do ta ketë të vështirë të formojë koalicion qeverisës pa mbështetjen e Chegas.

Partia në pushtet, PS, që tani udhëhiqet nga Pedro Nuno Santos, ndoshta mund të tentojë të përsërisë aleancën e vjetër me Bllokun e Majtë dhe Komunistët, me të cilët qeverisi gjatë viteve 2015 deri më 2019, nëse së bashku fitojnë mbi 115 ulëse në Parlamentin prej 230 vendesh.

Sondazhet sugjerojnë se mbështetja e mesazhit antiestablishment e Chegas – parti që është zotuar se do të luftojë korrupsionin dhe ka pikëpamje kundër migrimin – pothuajse është dyfishuar që nga zgjedhjet e fundit të vitit 2022. Megjithatë, kjo parti sipas sondazheve pritet të dalë e treta.

LEXO EDHE:

Back to top button