Posta e Maqedonisë së Veriut u bë me 100 automjete të reja
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Posta e Maqedonisë së Veriut u bë me 100 automjete të reja. 90 prej tyre janë të tipit “pick up” dhe 10 furgonë. Kjo do të ndihmojë sado pak funksionimin e këtij institucioni i cili përpos transportit jofunksional, përballet edhe me shumë probleme të tjera të kuadrit dhe kushteve të punës. Hapësirat e punës janë me material kancerogjen asbest e inventari nuk është rinovuar me dekada të tëra. Punëtorët sjellin karrige nga shtëpia dhe i lidhin që të mos ua vjedhin. Drejtori i Postës, Orhan Kurtishi, siguron se po punojnë maksimalisht për modernizimin e postës dhe kushteve për punë.
“Në dy vjetët që jam drejtor rroga është vonuar vetëm një muaj. Në atë kohë që e parasheh ligji nga data 1 deri datën 15 ne e kemi vonuar vetëm një ditë, pra në datën 16 i kemi dhënë rrogat…. Kemi bërë një skenim të gjendjes qysh në momentin e parë. Ka pasur por disa kanë filluar të vijnë e disa i kemi larguar kështu që për momentin jemi stabil dhe besoj që në të ardhmen nuk do të lejojmë një gjë e tillë të ndodhë në postë”, deklaroi Orhan Kurtishi – Drejtor i Postës Shtetërore.
Shumë pak qytetarë shfrytëzojnë shërbimet e Postës, veçanërisht pasi disa vite më parë, me të madhe filluan të hapen postat private të cilat dërgojnë dërgesat për më pak se 24 orë. Postën për vite me radhë nuk e shfrytëzon madje as vet kryeministri Hristijan Mickoski.
“Sinqerisht nuk më kujtohet kur për herë të fundit ka qenë. E di se ishte para një fund viti kur pata dërguar urata për vit të ri deri te familjarët e mi.
Për sa kohë arritën?
Nuk i kam pyetur, nuk kam numëruar të jem i sinqertë por kjo ishte para disa viteve, kështu që….
Apo ndoshta fare nuk kanë arritur?
Jo, kishin arritur sepse më falënderuan”, deklaroi Hristijan Mickoski – Kryeministër.
Makinat e reja do të drejtohen nga shoferë shumica prej të cilëve janë para pensionimit. Mosha mesatare e shoferëve në Postën Shtetërore është 55 vjeç. Vitin e kaluar siç pati raportuar Alsat, në magazinën e postës ishin mbledhur mbi 600 mijë pako dhe letra të qytetarëve dhe nuk shpërndaheshin./Alsat.mk.









