Prej dy vitesh Alsat raportonte për keqpërdorime parash në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Shqiptare – Tolaj: Për asnjë çmim dhe asnjë kusht nuk jap dorëheqjen
Prej dy vitesh Alsat raportonte për keqpërdorime parash në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Shqiptare - Tolaj: Për asnjë çmim dhe asnjë kusht nuk jap dorëheqjen
Prej dy vitesh ALSAT raportonte për shumë parregullsi dhe keqpërdorime parash në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqiptare, bazuar në raportin e Sektorit për Mbikëqyrje Juridike dhe Inspektuese në Ministrinë e Kulturës.
Në raport thuhej se drejtori i Ansamblit Shkodran Tolaj nuk ka respektuar nenin 70-b të Ligjit për Kulturë, dhe nuk ka dorëzuar dëshmi për shpenzimet e bëra pa arsyetim gjatë punës së Ansamblit për vitin 2020, por as edhe për vitin 2021.
Madje ministrja e Kulturës aso kohe Bisera Kostadinovska Stojçevska kishte thënë se ndaj drejtorit të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqiptare, Shkodran Tolaj, dy herë me radhë janë konstatuar keqpërdorime të fondeve, duke bërë pagesa pa dedikim ashtu siç parashikojnë ligjet.
Alsat mëson jozyrtarisht se hetimet kanë nisur edhe për veprimtarinë e vitit të fundit, për të.
Pavarësisht thirrjes masive të 33 artistëve, valltarëve, këngëtarëve, instrumentistëve etj., për lënien në rrugë dhe pa vendime pune, Tolaj, nga faqja në Facebook e Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve popullore shqiptare theksonte se “për asnjë çmim dhe asnjë kusht nuk jap dorëheqjen, sepse kam obligim ndaj qindra bashkëpunëtorëve me të cilët kemi punuar në mënyrë të jashtëzakonshme për ta sjellë deri këtu, dhe kam detyrim moral ndaj qindra artistëve të mëdhenj të kombit, akademikëve, doajenëve të gazetarisë nga të gjitha trevat që me mbështetjen e parezervë dhe prononcimin publik në mbështetje të institucionit dhe punës sime si drejtor, më obligojnë të qëndroj stoik deri në fund pavarësisht kostove dhe sulmeve që jam i bindur se do jenë pjesë e skenarit në vazhdim!”./ Alsat.mk