Presidenti i ri dhe institucionet e reja, Kurti apelon për bashkëpunim politik
Për të zgjedhur presidentin e ri të vendit, që Kosova të mos duhet të shkojë përsëri në zgjedhje, duhet të përfundojë sjellja refuzuese e opozitës. Kështu deklaroi numri një i Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili nënvizoi se do të përpiqen për sa më shumë bashkëpunim me opozitën, me qëllim zgjedhjen e numrit një të shtetit.
“Qasja jonë është konstruktive, është kreative, është aktive, por shpresoj që kësaj radhe do të ndryshojë qasja e opozitës dhe propozimeve tona, sikurse herën e kaluar që iu përgjigjën me refuzime, nuk do të kenë më pjesë të identitetit që na bëri t’i quajmë bllok opozitar. Sepse e keni parasysh, ofruam bashkëqeverisje, thanë jo. Domethënë, me 15 deputetë ofruam katër ministri dhe zëvendëskryeministrin, refuzuan.. Pra, a e kuptoni. Për të ecur përpara ka nevojë që të përfundojë sjellja refuzuese e opozitës, ndërkohë që ne e kemi në karakterin tonë si lëvizje, prej se ekzistojmë”- tha kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Kurti u tha mediave kosovare, se legjislatura e 11-të e Kuvendit të Kosovës duhet të bëhet sa më shpejtë.
“Tash është duke u përmbyllur procesi i numërimit të të gjitha votave, andaj le të presim këto ditë. Nuk e di a do të ketë ankesa, bëhet certifikimi, dhe natyrisht që ne jemi të interesuar që pa humbur kohë të hyjmë në fazën e ardhshme që është konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të, sa më shpejt aq më mirë”- deklaroi Kurti
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së për zgjedhjet e 7 qershorit, Vetëvendosje ka dalë partia e parë e cila ka fituar 52 mandate, ose 45.91% (353,119 vota). PDK e dyta me 22 ulëse, ose 19.95% (153,437 vota). LDK e treta me 19 mandate ose 17.03% (131,027 vota) dhe Alenaca e katërta me 7 ulëse apo 6.89% (52,963 vota). /Alsat.mk








