Presidenti polak rezulton pozitiv me COVID-19 për herë të dytë

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, ka rezultuar pozitiv me koronavirusin e ri (COVID-19) për herë të dytë.

Presidenca e Polonisë njoftoi se Duda, 49-vjeç, nuk ka shfaqur simptoma të lidhura me virusin dhe gjendja e tij aktualisht është mirë.

Duda kontraktoi koronavirusin edhe më parë në tetor të vitit 2020. Që atëherë ai ka marrë dy doza të vaksinës, si dhe dozën përforcuese muajin e kaluar.

Ndërkohë, ministri polak i Shëndetësisë, Adam Niedzielski, në një konferencë për media tha se momentalisht nuk do të vendosen kufizime të reja në vend, duke theksuar se të dhënat për llojin Omicron në Poloni do të bëhen të qarta në fund të janarit.

Ai theksoi se rritjet e fundit të numrit të rasteve ditore ishin të përkohshme si pasojë e sezonit të festave, duke njoftuar planet për shtimin e numrit të shtretërve në spitale për pacientët me koronavirus në 60 mijë.

Ministria polake e Shëndetësisë gjithashtu njoftoi se 632 persona kanë vdekur nga koronavirusi në 24 orët e fundit.

Deri më sot, më shumë se 21 milionë njerëz janë vaksinuar plotësisht në Poloni dhe më shumë se 6.6 milionë kanë marrë dozën përforcuese.

Sipas Universitetit Johns Hopkins me bazë në SHBA, që nga dhjetori i vitit 2019 pandemia ka marrë mbi 5.46 milionë jetë në të gjithë globin, me më shumë se 295.4 milionë raste të raportuara në mbarë botën.

LEXO EDHE:

Back to top button