Presionet në Gjykatën Supreme/ Pasi u qortua nga ambasadori holandez, Ali Ahmeti doli me kundër teza

Presionet në Gjykatën Supreme/ Pasi u qortua nga ambasadori holandez, Ali Ahmeti doli me kundër teza

Gazetar: Adrian Kerimi

Qëndrimi i ambasadorit Hollandez, Dirk Jan Kop mbi zhvillimet në gjyqësor dhe sundimin e ligjit duket se nuk i pëlqeu kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, shkruan Alsat.

Porosia e fortë e Kop për ndalimin e menjëhershëm të presioneve politike ndaj kryetares së Gjykatës Supreme, partia e Ahmetit i interpretoi në kundër teza për vetting, ndikimet ruse dhe kineze si dhe kompetencat e Këshillit Gjyqësor si organi më i lartë gjyqësor në vend.

Se qortimi i ambasadorit Kop nuk i pëlqeu Ahmetit, kjo u dëshmua edhe nga fakti se në profilin e tij, Ahmeti nuk e publikoi foton nga takimi, ashtu siç bën zakonisht me takimet tjera.

Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani duke komentuar deklaratën e ambasadorit Kop la të kuptohet që derisa nuk hapen negociatat, çdo veprim është i justifikueshëm.

Osmani madje tha se BDI-ja konsultohet për luftën kundër korrupsionit për faktin se është e vetmja që e lufton atë.

“Konsideroj se neve nuk mund të arrijmë standard Evropian, por vetë mund të arrijmë një standard Ballkanik. Konstatoj se pa procesin e negociatave nuk arrijmë dot standard Evropian. Këto dy procese mes vete janë të lidhura. Bllokimi i rrugës sonë drejtë BE-së është arsye e drejtpërdrejtë për të mos arritur neve deri tek ai standard. Tani këtu pyetja është si në rastin se kush është më e vjetër, veza apo pula. A është bllokada arsye pse nuk arrijmë standard Evropian, apo fakti që nuk arrijnë standard Evropian është arsyeja pse nuk afrohemi drejtë BE-së”, tha Bujar Osmani, Ministër i Jashtë.

Por opozita shqiptare vlerëson se deklarata e ambasadorit Kop vërteton se edhe faktori ndërkombëtar e ka kuptuar se BDI tjetër deklaron dhe diçka tjetër vepron.

“Ky takim ishte gënjeshtra e radhës e BDI-së për të ashtuquajturin fronti Evropian. Shihet qartë se edhe partnerët ndërkombëtar e kanë kuptuar se fjalët e BDI-së nuk përputhen me veprimet e tyre dhe manipulimi i tyre është ajo që i mban peng qytetarët e Maqedonisë për të qenë pjesë e BE-së”, u shpreh Izet Mexhiti, Kryetar i Lëvizjes Demokratike.

Ditë më parë gjatë një takimi në katër sy, ambasadori holandez Kop i dha dush të ftohtë kreut të integristëve duke i tërhequr vërejtjen për rënien drastike të sundimit të ligjit për dy vite në vazhdimësi dhe ndalimin e menjëhershëm të presioneve politike ndaj kryetares së Gjykatës Supreme, Besa Ademi pasi një veprim i tillë do të nxiste reagim të fortë të Holandës si vend anëtar kyç që mund të vendos të ardhmen ne procesin negociues të Maqedonisë së Veriut me BE-në./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button