Prezantohet buxheti për vitin e ardhshëm

Prezantohet buxheti për vitin e ardhshëm

Gazetare: Fatlume Dervishi

Të hyrat e përgjithshme të Buxhetit për vitin 2023 janë planifikuar në nivel prej 282,1 miliardë denarë ose 14,8 për qind më të larta se në vitin 2022. Propozim-buxheti u prezantua para deputetëve në Komisionin për financa dhe buxhet ku debati mund të zgjasë deri në 10 ditë pune. Shpenzimet e planifikuara për vitin e ardhshëm janë 324,8 miliardë denarë ose 12,6 për qind më shumë se në vitin 2022. Deficiti buxhetor është 4.6% nga Prodhimi Bruto Vendor i planifikuar ose 42.7 miliardë denarë.

Buxheti për vitin 2023

282.1 miliardë denarë – Të hyrat e përgjithshme

324.8 miliardë denarë – Shpenzimet nga buxheti

42.7 miliardë denarë – Deficiti buxhetor

“Ajo që presim nga propozim-buxheti për vitin 2023 është të mundësojë lehtësimin e menaxhimit të pasojave të krizës energjetike, atë të çmimeve, të sigurojë një financim të vazhdueshëm të proceseve integruese euroatlantike, obligimet që dalin për rritjen e standardeve të NATO-s si dhe të ndihmojë për të vendosur një bazë të mirëfilltë sa i takon rimëkëmbjes ekonomike, për të ruajtur rritjen ekonomike në vitin që vijon por dhe në afat të mesëm të mundësojë një rritje të përshpejtuar dhe të qëndrueshme ekonomike”, tha Fatmir Besimi, ministër i Financave.

Opozita nuk është e kënaqur me politikat financiare të pushtetit. Sipas tyre, vendi ndodhet në krizën më të madhe historike.

“Kemi inflacion historikisht më të lartë prej 20%, borxh publik më të lartë në histori, eksplodim të çmimeve të produkteve ushqimore bazë, çmim treshifror të karburanteve, rrymë që shtrenjtohet çdo gjashtë muaj dhe na pret rritje tjetër prej të paktën 10% si urim për vitin e ri, rroga më të ulëta në rajon, rritje më të vogël ekonomike dhe koalicion qeveritar më të pasur. Varfëri pa perspektivë dhe pa sy. Ne jemi shtet ku një pjesë e madhe e amvisërive mund të lejojnë vetën një vakt ushqimor në ditë kurse shteti nuk ndalon së shpenzuari para publike për gjëra që janë gjithçka vetëm se jo të nevojshme”, deklaroi Bojan Stojanovski, kryetar i Komisionit për Financa dhe Buxhet, deputet i VMRO-DPMNE-së

Qeveria pret stabilizim në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore në treg në gjysmën e dytë të vitit që vjen. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button