Prezantohet projekt buxheti për vitin 2022, ja sa planifikon të shpenzoj Qeveria

" "

Qeveria planifikon të mbledhë 3.9 miliardë euro në arkën e shtetit vitin e ardhshëm, por në të njëjtën kohë të shpenzojë 4.4 miliardë euro. Kjo do të thotë se deficiti buxhetor për vitin 2022 do të kalojë 500 milionë euro. Sipas Qeverisë, këto gjysmë miliardë euro që nuk do t’i kemi dhe do të duhet t’i huazojmë, do të shpenzohen për projekte kapitale. Sipas ministrit të Financave, ky është një buxhet zhvillimor, por duhet të adresojë edhe sfidat e pandemisë dhe krizës aktuale energjetike. Por, Besimi tha se buxheti për vitin e ardhshëm nuk parasheh para për mbulimin e shpenzimeve të kompanive energjetike, që janë bërë për shkak të krizës dhe nga e cila do të varet çmimi i energjisë elektrike për qytetarët. Problemet, thotë Besimi, që do të shfaqen me krizën energjetike do t’i zgjidhë një ekip i posaçëm nga qeveria.

“A ka një normë për MEPSO-n, thashë se ky është buxheti i vitit 2022, nuk ka normë të tillë, që i referohet krizës për këtë vit, ka një grup pune që po punon në këtë dhe duke pasur parasysh nevojat, kështu do të reagohet. Unë thashë se nuk ka asnjë shifër në buxhet për këtë”, deklaroi Fatmir Besimi -Ministër i Financave.

Rritja ekonomike për vitin e ardhshëm parashikohet në të njëjtin nivel me atë të Gjermanisë, pra 4.6 për qind, ndërsa inflacioni 2.4 për qind. Qeveria planifikon të mbledhë mbi 10 për qind më shumë para tatimore nga qytetarët dhe kompanitë në krahasim me këtë vit. Për sa i përket borxhit publik, ai do të arrijë pothuajse 66% të Prodhimit Bruto Vendor në vitin 2022. 531 milionë euro janë parashikuar për paga dhe shtesa në arkën e shtetit.

“Këtu hyjnë pesë për qind rritje në shëndetësi, pastaj rritje 15 për qind të pagave në gjyqësor, 15 për qind rritje të pagave në prokurori, pastaj shtatë për qind rritje të pagave në arsim, sipas marrëveshjes kolektive. Rritje e pagave në kulturë në përputhje me kontratën kolektive, dhe rritje 10% e pagave të shërbimeve të inspektimit”, u shpreh Fatmir Besimi -Ministër i Financave.

Propozim buxheti për vitin 2022 është dërguar në Kuvend dhe për këtë kemi marrë konfirmimin nga shërbimet parlamentare. Besimi konsideron se kriza aktuale politike nuk do të jetë pengesë për miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, dhe se ka kohë të mjaftueshme për të respektuar të gjitha procedurat parlamentare, dhe që ai të miratohet në kohën e duhur nga deputetët.

Ile Petrevski

LEXO EDHE:

Back to top button