Prindërit, protesta kundër digjitalizimit të teksteve shkollore

Prindërit e shkollave fillore dhe të mesme protestuan kundër digjitalizimit të librave shkollorë. Në marshin protestues të nisur para Ministrisë së Arsimit u kërkua referendum për reformat në arsim. Me parulla dhe brohoritje, protestuesit lëvizën përmes Qeverisë deri tek Kuvendi. Organizatorët thanë se ligji tërësisht i ri për tekstet shkollore do të bllokohet me të gjitha format e mundshme.

Sot do të dëgjohet zëri i prindërve. Do të merret vesh kush qëndron prapa të drejtave të fëmijëve. Sot zëshëm do të themi se fëmijët tanë nuk janë për eksperimente. Kërkojmë që politika të heq duart nga fëmijët tanë – tha Dragana Spasevska, Organizatore.

Prindërit protestuan edhe në më shumë qytete të vendit. Ata shprehin revoltën se askush nuk merr parasysh mendimet e tyre edhe pse bëhet fjalë për fëmijët e tyre. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e ministres së Arsimit Milla Carovska.

“Thjeshtë, qëndrimi injorues dhe diskriminues i Ministres së Arsimit Milla Carovska, e cila nuk i merr parasysh idetë dhe propozimet e prindërve se si më së mirë do të zbatohet digjitalizimi i procesit mësimor. Ky nuk është problemi i vetëm, por tentativa që nga dera e pasme të shtyhet një sistem hibrid që aspak nuk është i përshtatshëm për këtë moshë të fëmijëve tanë.”

“Shkollat ekzistojnë për nxënësit dhe arsimtarët, aty e kanë vendin. Mësimi virtual u dëshmua se nuk vlen gjatë pandemisë, prandaj them se nga çdo e keqe ka një të mirë, pandemia këtë na tregoi.”

“Është përshpejtuar, është bërë pa koncept e pa plan. Ky proces duhet të udhëhiqet paralel me mësimet në prani fizike të paktën 10 vjet. Të ketë qëndrim të përbashkët publik se si të bëhet por në cilindo rast është proces i përshpejtuar.”

Ministria e Arsimit dhe Shkencës përmes një komunikate e ka cilësuar si absurde protestën e prindërve kundër ligjit të teksteve shkollore. Sipas MASH-it digjitalizimi i librave është proces global ndërsa Maqedonia e Veriut përpiqet të kap ritmin. Përplasje për këtë çështje pati edhe mes dy partive më të mëdha në pushtet e opozitë. Nga LSDM thonë se prapa këtyre protestave qëndron VMRO-DPMNE për të mbrojtur bizneset milionëshe. Ndërkaq, nga VMRO thonë se digjitalizimi do të ketë efekt negativ si për nxënësit ashtu për mësuesit.

Adnan Qaili

LEXO EDHE:

Back to top button