Privohen nga liria 18 shoferë, 15 prej tyre vozisnin pa patentë
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë territorin e vendit, nëpunësit policorë kanë privuar nga liria 18 shoferë për shkelje të rënda të rregullave të komunikacionit.
Prej tyre, 15 persona drejtonin automjete pa patentë shoferi, ndërsa dy ishin të mitur. Pesë persona u ndaluan në Gostivar, ku njëri ishte i mitur dhe një tjetër ishte përfshirë më herët në një aksident trafiku. Katër persona u arrestuan në Shkup, dy në Kërçovë (njëri i mitur), si dhe nga një person në rajonin e Tetovës, Krivogashtan, Prilep dhe Manastir.
Po ashtu, një person në Dellçevë u kap duke drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit, ndërsa nga një person në Kërçovë dhe Kavadar drejtonin automjete pavarësisht se kishin masë ndalimi për drejtimin e mjeteve motorike.
Pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj të gjithë personave do të ngrihen kallëzime penale përkatëse.








