Privohet nga liria një person në Shkup, i sekuestrohen 25 paketime me marihuanë
Një person është privuar nga liria në Shkup, pasi gjatë një kontrolli policor iu gjet dhe sekuestrua drogë.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në orët e natës mes 4 dhe 5 gushtit 2026, duke vepruar mbi bazën e informacioneve operative të siguruara paraprakisht, nëpunësit policorë të Njësitit për Tregtinë e Palejuar pranë SPB Shkup kanë kryer kontroll ndaj personave me iniciale J.B., S.V. dhe D.P. në bulevardin “Aradhet Partizane” në Shkup.
Gjatë kontrollit, te D.P. janë gjetur dhe sekuestruar dy kavanoza me gjithsej 25 paketime me marihuanë, si dhe një peshore digjitale me mbetje të lëndës narkotike.
Pas zbulimit të drogës, D.P. është privuar nga liria dhe është shoqëruar në Stacionin Policor Gjorçe Petrov. Me urdhër të prokurorit publik, ai është ndaluar për procedurë të mëtejshme.
Policia njofton se, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj D.P. do të ngrihet kallëzim penal për veprën penale “Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve”, sipas nenit 215, paragrafi 1, të Kodit Penal.








