Procesi i zgjerimit nuk pritet të jetë temë e samitit të BE-së

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian nuk pritet të jetë temë e samitit të BE-së që do të zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel, ndërsa edhe në takimin e së martës të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme do të jetë vetëm si temë eventuale jashtë rendit të ditës, apo si “çështjet e tjera”.

Një diplomat i lartë i BE-së për REL tha se arsyet për këtë janë agjenda e ngjeshur dhe dështimi që të ketë përparim në miratimin e kornizave negociuese, për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Ky diplomat i lartë evropian tha se “Gjermania, si kryesuese e radhës e BE-së, është e frustruar, për shkak të këtyre dështimeve”, dhe fajin për këtë ia la Bullgarisë, e cila vazhdon të bllokojë miratimin e vendimit për nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut.

“Si pasojë e bllokadës së vendimit për Maqedoninë e Veriut, që Bullgaria e ka bërë për shkak të çështjeve bilaterale historike, që nuk kanë vend në procesin e zgjerimit, nuk kemi mundur të vendosim as për Shqipërinë, sepse disa shtete kanë insistuar se, nëse nuk ka vendim për Maqedoninë e Veriut, nuk mund të vendosim as për Shqipërinë”, tha diplomati i lartë evropian.

Bullgaria ka insistuar që obligimet e Maqedonisë së Veriut për të respektuar disa çështje historike, që Sofja i sheh si fakte, të jenë pjesë e kornizës negociuese të BE-së.

Diplomatët evropianë pohojnë se Gjermania ka bërë përpjekje që të arrihet një zgjidhje midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, por ato përpjekje kanë dështuar.

Një diplomat evropian tha se nuk sheh ndonjë mundësi për ndonjë kthesë pozitive në momentin e fundit, pra para përfundimit të presidencës gjermane më 31 dhjetor, kështu që Gjermania do ta përmbyllë presidencën e saj pa asnjë rezultat në zgjerim.

LEXO EDHE:

Back to top button