Prodhuesit vendor paralajmërojnë uljen e çmimeve të produkteve bazë

Prodhuesit vendor paralajmërojnë uljen e çmimeve të produkteve bazë

Gazetar: Adnan Qaili

Brenda dy jave prodhuesit vendor të produkteve ushqimore bazë pritet të rishikojnë çmimet meqë po shfrytëzojnë rrymën e subvencionuar nga shteti. Megjithëse jemi në muajin e tretë prej kur rreth 230 kompanitë nga sektori i ushqimit përdorin energji elektrike që kushton 80€/MWh, në vend të 200 euro, raporti i Inspektoratit Shtetëror të Tregut në fund të muajit shkurt do të tregoj sa kush ka keqpërdorur.

Nga sektori furrtarëve në Odën Ekonomike thonë se keqpërdoruesit le të ndëshkohen nga inspektorati, por përveç rrymës, lënda e parë e importuar dhe mungesa e fuqisë punëtore i mbajnë çmimet e larta.

“Nga njëra anë kemi subvencionim të çmimit të rrymës, por njëkohësisht kemi rritje të çmimeve të resurseve njerëzore. Ajo përqindje e volitshme absorbohet nga ajo që kompanitë paguajnë më tepër për të punësuarit. Kjo është mirë kur pagat rriten, pasi që ulin emigrimin e të rinjve që shkojnë në perëndim. Ai balancim i uljes së çmimit të rrymës është shpenzuar në rritjen e pagave”, tha Goran Georgievski, Oda ekonomike, sektori furrtarëve.

Por, qytetarët vazhdojnë të ankohen çdo ditë se në vend të uljes së çmimeve, shumica e produkteve shiten në tregje me çmime të reja, madje më të larta se para zbatimit të rrymës së subvencionuar.
Me çmime të larta vazhdojnë të mbeten fruta perimet që prodhohen këtu dhe produktet higjienike.

Vendi ynë prodhon rreth 250 mijë ton drithë në vit, ndërsa nevojat e popullsisë janë 330 mijë ton, që nënkupton se 80 mijë ton grurë/miell importohet, kryesisht nga Serbia. Nga sektori industrisë së mishit dhe blegtorisë po ashtu thonë se nuk ka arsye për uljen e çmimeve, për shkak të lëndëve të para.

“Sektori i industrisë së mishit është i varur pothuajse plotësisht nga importi i lëndës së parë. Rreth 85% e mishit të ngrirë për përpunim, qoftë i pulës, gjedhit apo derrit blihet përtej Oqeanit, Kanada dhe Brazil. Kosto e lartë e produkteve të blera jashtë shtetit sipas bursës vazhdon të na diktoj çmimin e lartë në treg”, thonë nga Oda ekonomike, sektori industrisë së mishit.

Megjithëse janë rreth 1,000 kompani të prodhimeve ushqimore, vetëm 1/5 e tyre treguan interes të marrin rrymë të subvencionuar, por autoritet thonë se të gjithë prodhuesit duhej ti ulnin çmimet 7-12%.
Përkundër paralajmërimit të gjobave, prodhuesit nuk tërhiqen të ulin vetëm disa produkte për 10%. Pasi subvencioni filloi të aplikohet nga 1 dhjetori, në tregje jo të gjitha produktet u ulën, siç ishte rënë dakord mes Qeverisë dhe privatit. Kjo për 5 muaj do t’i kushtojë buxhetit rreth 3.5 milionë € deri në muajin prill.

Por, Agjencia Ndërkombëtare e Ushqimit dhe Bujqësisë FAO ka njoftuar tashmë se çmimet e ushqimeve në tregjet botërore kanë rënë për nëntë muaj me radhë. Por, në Maqedoni kostoja e jetesës është rritur 20% për një vit, dhe peshën më të madhe në këtë inflacion e ka pikërisht rritja e çmimeve të ushqimeve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button