Profesor Asani: Gjuha jonë është hyjnore, duhet të punohet më shumë për ta ruajtur

Profesor Asani: Gjuha jonë është hyjnore, duhet të punohet më shumë për ta ruajtur

Gazetare: Ilmie Zhaku

Në muajin nëntor, kryesisht në javën e alfabetit tonë, të gjithë shqiptarët janë aktivizuar për ti dhënë rëndësinë e duhur ditës së alfabetit, e për të bërë thirrje për ruajtjen e gjuhës shqipe. Ndër to është edhe profesori strugan, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bexhet Asani. Profesor Asani është gjuhëtar dhe aktivist i çështjeve kombëtare. Në emisionin Ftesë Në Studio në Alsat ai foli për rëndësinë e alfabetit shqip por edhe për rrujtjen e gjuhës së pastër shqipe. Ai theksoi se në mërgim bëhen përpjekje për ta ruajtur gjuhën, megjithatë interesimi i të rinjve por edhe i prindërve është shumë i vogël.

“Prindërit duhet të kenë kujdes me të, sepse me humbjen e gjuhës një ditë do të humbin, do të asimilohen, vendi i asimilimit po e bën të vetën, prandaj duhet të kemi shumë kujdes, në radhë të parë prindërit në radhë të dytë mësuesit dhe shkollat. Në mërgatë po bëhen përpjekje për ruajtjen e gjuhës shqipe por unë nuk jam i kënaqur me këtë, sepse nëpër qendra kulturore mësohet gjuha shqipe vetëm njëherë në javë që do të thotë dy deri në 4 orë, gjë që nuk është mjaftueshme. Prindërit duhet të insistojnë që mësimi të zhvillohet tre apo katër herë në javë. Dhe atë ditë që shkojnë nxënësit, shkojnë për tu argëtuar, interesimi për të mësuar është shumë i vogël”, tha profesor Bexhet Asani.

Ai shtoi se gjuha standarte shqipe nuk përdoret në nivelin e duhur, duhet të përpiqemi më shumë për të përdorur gjuhën letrare, megjithëse dialektetet janë pasuri e gjuhës sonë. Për sa i përket festimeve të festave të nëntorit në SHBA, Asani tha se festohen me shumë entuziazëm, sepse edhe malli për vendlindjen i lidh më shumë mërgimtarët me këto festa. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button