Projekti gjigant ecën ngadalë! Vetëm 36% e hekurudhës Belakovcë–Kriva Pallankë është realizuar

Gazetar: Angell Dimovski

Ndërtimi i segmentit hekurudhor Belakovcë – Kriva Pallankë është realizuar 36 për qind, ndërsa lidhja e plotë hekurudhore me Bullgarinë pritet të përfundojë deri në vitin 2031. Kështu tha ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski, gjatë inspektimit të punimeve në Korridorin 8. Linja hekurudhore është projektuar për shpejtësi prej 100 deri në 120 kilometra në orë. 

“Sa i përket punimeve ndërtimore, progresi është 31%, ndërsa sa i përket progresit të përgjithshëm ai është 36% dhe pres që deri në tetor të vitit 2028, ose më saktë në tremujorin e fundit të vitit 2028, këtu tashmë të qarkullojnë trenat. Kjo është pjesë e Korridorit 8, krahu lindor, që lidh Shkupin me Sofjen dhe prej aty me Detin e Zi. Pas ndërtimit të segmentit të dytë, sigurisht do të ndërtojmë edhe segmentin e tretë” – Aleksandar Nikolloski, ministër i Transportit.

Nikolloski tha se synimi është që deri në vitin 2031 të përfundojë e gjithë traseja, përfshirë edhe tunelin që duhet të ndërtohet së bashku me palën bullgare.

“Sa i përket fazës së tretë, nëse procedura e tenderimit kalon mirë, dhe pres që të kalojë mirë duke pasur parasysh se Hekurudhat dhe “Infrastruktura” e Maqedonisë po e realizojnë këtë projekt me shumë seriozitet, ndërsa mbështetja është e madhe nga Bashkimi Europian dhe dy bankat europiane, pres që ta realizojmë atë që kemi premtuar dhe deri në vitin 2031, në vitin e parë, të përfundojë e gjithë traseja së bashku me tunelin që duhet ta ndërtojmë bashkërisht me Sofjen” – Aleksandar Nikolloski, ministër i Transportit.

Investimi në anën e Maqedonisë arrin në 810 milionë euro, ndërsa pala bullgare investon rreth 1.5 miliardë euro në lidhjen hekurudhore. Segmenti Belakovcë – Kriva Pallankë, me gjatësi prej 34 kilometra, përfshin ndërtimin e 29 urave, 15 tuneleve, gjashtë mbikalimeve, tre nënkalimeve, tre ndalesave hekurudhore, dy ndërtesave stacionuese dhe tre objekteve shërbyese. Shtylla më e lartë e urave arrin lartësinë prej 61 metra, ndërsa disa nga urat e tjera janë deri në 45 metra të larta. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button