Projekti për bulevardin ” Cvetan Dimov” me dy korsi, ende nuk ka filluar

Projekti për bulevardin " Cvetan Dimov" me dy korsi, ende nuk ka filluar

Gazetar: Avni Tahiri

“Bulevardi “Cvetan Dimov” në Çair, do të ketë dy korsi, gjelbërim në mes, trotuare dhe shtigjet për biçikleta”. Ishte prioritet i projekteve të premtuara para zgjedhjes së mandatit për kryetar komunë nga i pari i tanishëm i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

”Do të jetë ndër projektet e para të qytetit të Shkupit, dhe Komunës së Çairit që do të realizohet në mandatin e ardhshëm sepse e zgjidh arterien kryesore të Çairit. Është e paraparë që të zgjerohet me dy korsi, bulevardi do të ketë gjashtë korsi, gjelbërim në mes, trotuare dhe stazë për biçikleta dhe i ndriçuar tërësisht”, tha Izet Mexhiti – Kryetar i Komunës së Çairit.

Për të kaluar rrugën “Cvetan Dimov” në Çair, nga semaforët në BitPazar e deri tek udhëkryqi për në rrugën “Xhon Kenedi”, në kohen kur qytetarët kthehen nga puna, të duhen nga 20 deri në 30 minuta, edhe pse distanca është vetëm rreth 2.5 kilometra. Sipas Google Maps, kjo rrugë paraqitet pothuajse gjithmonë me ngjyrë të kuqe, që tregon trafik të rënduar.

Qytetarët thonë se ky bulevard është një nga pikat më problematike për qarkullim, si për automjetet ashtu edhe për këmbësorët. E për të kaluar me biçikletë në “Cvetan Dimov”, thuajse është mision i pamundur.

Anketë me qytetar

”Ja veturat parkohen, nuk ke ku të lëvizësh dhe patjetër në trotuar e ndonjëherë dalim në rrugë, çfarë të bëjmë.”

”Do të rregullohet nëse e bëjnë një bulevard tjetër mbi “Cvetan Dimov” përndryshe kështu do të shkoje gjithë jetën.”

”Në ora 16:00, udhëtari hyn në veturë dhe dëshiron të arrijë më shpejtë dhe më thotë a mund të arrijmë për 5 minuta e kjo nuk arrihet. Sa kohë të duhet nga BitPazari deti tek Vero lartë? Më së paku 20 minuta për shkak të trafikut. E kur nuk ka rrëmujë? Për pesë minuta.”

”Secili kryetar komune që vjen thotë që do ta ndërtojmë rrugën, shkoi njëri e erdhi tjetri dhe të shohim se çfarë do të bëjnë, presim të behët diçka sepse kjo rrugë është e vështirë, por çfarë do të behët nuk e dimë.”

Në lidhje me atë se në cilën fazë ndodhet aktualisht projekti i bulevardit “Cvetan Dimov” dhe se a ka një afat të përcaktuar për fillimin e punimeve, nga Komuna e Çairit, thonë;

“Sa i përket fazës së projektit të bulevardit Cvetan Dimov, ju informojmë se procedurat për projektimin kanë përfunduar. Aktualisht, me Qytetin e Shkupit jemi në përpilim të memorandumit të bashkëpunimit për realizimin e projektit. Punimet pritet të nisin gjatë vitit 2026”, thonë nga Komuna e Çairit.

Nga komuna e Çairit shtojnë se projekti i bulevardit “Cvetan Dimov” mbetet një nga prioritetet dhe se për çdo fazë të re, opinioni do të informohet me transparencë të plotë./Alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button