Prokurorët me mendim negativ për shkarkimin e Kocevskit, publiku i përjashtuar nga debati

Prokurorët me mendim negativ për shkarkimin e Kocevskit, publiku i përjashtuar nga debati

Gazetar: Mihajllo Donev

Këshilli i prokurorëve i doli në mbrojtje të Ljupço Kocevskit. Propozimi për shkarkimin e prokurorit publik të shtetit mori vlerësim negativ. Tre votuan “pro” pranimit të propozimit, ndërsa gjashtë anëtarë të këshillit ishin kundër. Gjatë diskutimit për propozimin, publiku u përjashtua ndërsa prokurorët debatuan me dyer të mbyllura.

“Anëtarët e këshillit, pasi e shqyrtuan propozimin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për shkarkimin e Prokurorit të Shtetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me shumicë votash të anëtarëve të këshillit morën vendim dhe dhanë mendim negativ për propozimin e qeverisë për shkarkim. Publiku u përjashtua me propozimin e një anëtari të këshillit i cili u pranua unanimisht nga anëtarët e tjerë dhe me shumicë prej dy të tretash publiku u përjashtua për ta ruajtur reputacionin dhe integritetin e prokurorit publik”, deklaroi Dushica Dimitrievska, kryetare e Këshillit të Prokurorëve Publikë.

Në ligj thuhet se edhe me mendim të tillë negativ mund të caktohet seancë në Kuvend ku deputetët me 61 vota kanë mundësi ta shkarkojnë Kocevskin. Mirëpo, përkundër faktit se Qeveria filloi procedurën për largimin e tij, ajo e ka ndërprerë të njëjtën. Pas tragjedisë në Koçan, kryeministri Mickoski tha se fokusi është në hetim dhe se për shkak të ndjeshmërisë së rastit, por edhe për shkak se drejtësia duhet të vendoset, Kocevski do të vazhdojë të udhëheqë prokurorinë. Kjo do të thotë se Qeveria pasi të marrë mendimin negativ nga Këshilli, nuk do ta përcjellë atë në Kuvend që deputetët të caktojnë seancë, por do ta mbajë në sirtar. Nuk ka afat ligjor deri kur Qeveria duhet të dërgojë mendimin e Këshillit në Kuvend. Ndryshe, Qeveria obligoi Ministrinë e Drejtësisë që të përgatisë propozimin për shkarkimin e Kocevskit pasi kryeministri me muaj të tërë deklaronte publikisht se është i pakënaqur me punën e tij. Në propozimi për shkarkimin e tij, siç mësoi Alsat, thuhej se në kohën e Kocevskit, prokuroria ishte joefikase, kishte dëmtuar reputacionin dhe ndante informacione nga procedurat gjyqësore, gjë që është kundër ligjit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button