Prokuroria nuk jep detaje për malverzimet partiake në DAP

Prokuroria nuk jep detaje për malverzimet partiake në DAP

Gazetar: Ile Petrevski

Prokuroria e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nuk zbulon detaje për marrjen e mundshme të fondeve prej Drejtorisë së të Ardhurave Publike nga ana e zyrtarëve të LSDM-së dhe BDI-së, aferë e cila u publikua nga lideri opozitar, Hristijan Mickoski. Thonë që për momentin hetimi mbahet në fshehtësi. Jo zyrtarisht Alsat mëson se janë bërë kompani fiktive që të evitohet pagesa e tatimit.

“Prokurori kompetent publik nga Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit tashmë disa muaj merret me lëndë që është në procedurë para- hetimore dhe për të cilën lëndë për momentin nuk mund të jepen detaje”, thonë nga Prokuroria e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Nga Drejtoria e të Ardhurave Publike menjëherë dolën me përgënjeshtrim lidhur me pretendimet e partisë opozitare.

“Nga DAP thonë se nuk bëhet fjalë për aferë, por për punë të vërtetuar joligjore që e kanë kryer obliguesit tatimor. Sipas informacioneve nga institucioni shtetëror, DAP rastin në fjalë e ka zbuluar përafërsisht para një viti dhe e ka informuar Prokurorinë Publike”, raporton Ile Petrevski, gazetar.

Alsat kërkoi qëndrim edhe nga Qeveria, por në vend që të japin sqarime konkrete se do të veprohet nëse zyrtarë të partive qeverisëse janë të përfshirë në këtë rast, prej atje e morëm këtë përgjigje.

“Të gjitha materialet dhe të dhënat nga ana e DAP janë dorëzuar pranë institucioneve dhe janë marrë të gjitha masat e duhura për mbrojtjen e arkës së shtetit”, thonë nga Qeveria..

VMRO- DPMNE doli me akuzë se një grup i organizuar i përbërë nga zyrtarë të koalicionit LSDM-BDI kanë vjedhur para nga qytetarët e Maqedonisë. Shuma e publikuar nga VMRO sillet prej 25 deri 30 milionë euro, fonde që sipas tyre, janë marrë nga buxheti i shtetit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button