Protesta e djeshme, politikanë dhe diplomatë dënuan dhunën

Protesta e djeshme, politikanë dhe diplomatë dënuan dhunën

Gazetare: Fatlume Dervishi

Politikanë dhe diplomatë dënuan dhunën në protestën e një dite më parë. Reagimi i parë erdhi nga Presidenti Stevo Pendarovski.

“Dua të dënoj dhunën si një metodë politike që nuk duhet të ketë vend në demokracitë moderne”, tha Stevo Pendarovski, President.

Sipas kryeministrit Dimitar Kovaçevski, dhuna nuk është pasqyra e një vendi anëtare të NATO-s. LSDM-ja kërkoi përgjegjësi nga autorët e dhunës dhe drejtoi gishtin nga dy liderët e partive politike, Mickoski dhe Apasiev.

“Hristijan Mickoski dhe Dimitar Apasiev i udhëhoqën protestat e dhunshme dhe kur filloi dhuna, aspak nuk u përpoqën ta qetësojnë turmën. Deri tani nuk ka asnjë fjalë për të dënuar dhunën, asnjë mesazh për policët e lënduar. Mickoski dhe Apasiev e pakta që mund të bëjnë sot është t’u kërkojnë falje qytetarëve, familjeve të policëve dhe të vizitojnë policët e lënduar. Pas ngjarjeve të mbrëmshme, duhet të ketë përgjegjësi të autorëve”, u shpreh Darko Kaevski, LSDM.

BDI-ja thotë se zhvillimet e këtilla tregojnë kush është pro eurointegrimit dhe kush është kundër.

“Bashkimi Demokratik për Integrim e dënon ashpër dhunën anti-evropiane në rrugët e Shkupit të nxitur dhe realizuar nga elementet proruse në vendin tonë që janë kundër BE-së, NATO-s, fqinjësisë së mirë, paqes, stabilitetit dhe sigurisë. Forcat regresive në vend që janë në përkrahje të protestave të dhunshme po tentojnë të pengojnë procesin”, thonë nga BDI.

Dhunën ndaj policëve e dënoi edhe ambasadori i BE-së në Shkup, Dejvid Gir.

“I dënoj skenat e mbrëmshme të dhunës në Shkup ndaj policisë të cilët ishin në detyrë. Ata nuk kanë vend në një shoqëri demokratike. Bëj thirrje për përmbajtje, respekt dhe përgjegjësi”, tha Dejvid Gir, ambasador i BE-së në Shkup.

Komiteti i Helsinkit bën thirrje për protesta të qeta dhe fton policinë të sigurojë protestat pa tejkalimin e kompetencave të tyre./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button