Tupançevski riorganizimin e gjykatave dhe prokurorive ia lë në dorë KGJ-së dhe KP-së

Tupançevski riorganizimin e gjykatave dhe prokurorive ia lë në dorë KGJ-së dhe KP-së

Gazetar: Adrian Kerimi

Ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski tërheq mbrapsht fjalët e tij për riorganizimin e gjykatave dhe prokurorive.

I pari i Drejtësisë tani thotë se në kuadër të ligjit, një veprim të tillë duhet ta bëjë Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publik, shkruan Alsat.

Në këtë mënyrë ai reteroi nga qëndrimi ndërhyrës në autonomi të institucioneve, i shprehur pak ditë më parë kur Tupançevski tha se ka plan “B” për riorganizimin e punës në këto institucione.

“Jam optimist se nuk do të ngecë asnjë lëndë e cila ishte në duart e gjykatësve që dolën në pension. Ne si ministri udhëhiqemi në bazë të kompetencave. Jo rastësisht paraprakisht deklarova se në kuadër të kornizave ligjore, kështu që këtu merr pjesë Këshilli Gjyqësor, Këshilli i Prokurorëve Publik dhe organet e tjera të cilat janë të detyruara të veprojnë, por jo ministria”, tha Nikolla Tupançevski, Ministër i Drejtësisë.

Prokurorja për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, Villma Ruskovska thotë se përveç pensionimit të prokurorëve, ky organ ballafaqohet edhe më një problem tjetër.

“Më shqetëson mos interesimi i kolegëve prokurorë të punojnë në Krimin e organizuar. Edhe pse unë angazhohem të vijnë, kemi rrogat më të mëdha në strukturën e prokurorisë, por prapë ka shumë pak interes”, u shpreh Villma Ruskovska, Prokurore e krimit të organizuar.

Nga 42 gjykatësit e pensionuar më 1 korrik, 4 prej tyre ishin gjykatës administrativ. Kjo gjykatë ballafaqohet me vëllim të madh të lëndëve.

“Janë pensionuar 4 gjykatës. Duhet gjetur zgjidhje e shpejtë që gjykata të mos mbetet pa zgjidhje për shkak se ka numër të madh të lëndëve të cilat presin zgjidhje”, theksoi Burim Sejdini, Kryetar i Gjykatës Administrative.

Lidhur me pensionimin e dy gjykatësve, Kiro Zdravev si gjykatës suprem dhe Zoran Teofilovski nga Gjykata e Apelit në Gostivar të cilët njëkohësisht janë anëtarë të Këshillit Gjyqësor, mandati i të cilëve zgjat deri në dhjetor të vitit 2024, ekspertët vlerësojnë se pensionimi i tyre nga gjykatat nuk ndikon mbi mandatin e tyre. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Dobrilla Kacarska duke folur në cilësinë e juristes me përvojë 40 vjeçare thotë se mandati i tyre nuk rrezikohet nga pensionimi.

“Nuk po flas si kryetare e Gjykatës Kushtetuese por si juriste me përvojë 40 vjeçare. Qëndrimi im personal është se anëtarëve të Këshillit Gjyqësor nuk u mbaron mandati për shkak të pensionit. Në momentin kur zgjidhen anëtarë, ata në të shumtën e rasteve nuk punojnë më si gjykatës por vazhdojnë angazhimin në këshill. Mandati i tyre sipas ligjit zgjat gjashtë vite. Ligji për Këshillin Gjyqësor parashikon saktë se kur një anëtari i përfundon mandati, por në atë ligj nuk ka asnjë dispozitë e cila i merr atyre mandatin për shkak pensionimit”, thotw Dobrilla Kacarska, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese.

Mungesat në gjykata dhe prokurori lindën si pasojë e mosmiratimit të ndryshimeve ligjore në Ligjin për marrëdhënie pune. Propozimi parashikonte vazhdimin e mandatit të gjykatësve dhe prokurorëve edhe për 3 vite. Organi akuzës do të ketë ndjekës penal të ri vetëm pas Vitit të Ri, ndërsa po atëherë pritet edhe emërimi i rreth 30 gjykatësve të rinj./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button