Protesta në Strugë: Ky nuk është fat, por sistem që vret

Protesta në Strugë: Ky nuk është fat, por sistem që vret

Gazetar: Miki Trajkovski

“Parajsa fitoi engjëj, por ne humbëm një të ardhme, nuk bëhet fjalë për fat, por për sistem që vret, ose shpërngulemi ose digjemi të gjallë, a ka frena dore, të gjithë jemi viktima të sistemit”. Këto ishin vetëm disa nga mesazhet, të shkruara në pankarta, që i mbanin banorët e Strugës, të cilët u mblodhën në marshin paqësor në shenjë respekti për të vdekurit në tragjedinë e tmerrshme në Koçan.

“Një ditë, kushdo mund të jetë njëri prej nesh. Ne jemi të rinjtë e këtij vendi, ne jemi vendi”, tha një nxënëse.

“Mendoj se rinia duhet ta vazhdojë këtë dhe të jetë e fortë dhe e guximshme për të parandaluar korrupsionin, që të mos vuajmë edhe ne. Cili është mesazhi juaj për institucionet? Të ndalet korrupsioni dhe të ketë drejtësi për të gjithë”, tha një tjetër nxënëse.

“Jemi mbledhur sot për të nderuar të vdekurit dhe viktimat dhe për të shprehur indinjatën tonë ndaj sistemit dhe korrupsionit që po merr kaq shumë jetë të rinjsh e të pafajshëm. Kjo nuk është hera e parë që në vendin tonë vriten njerëz të pafajshëm në këtë mënyrë, për shkak të korrupsionit dhe sistemit”, nënvizoi një tjetër nxënëse.

Marshit dhe tubimit paqësor që përfundoi në Parkun e poezisë, me disa minuta heshtje, i janë bashkuar jo vetëm nxënësit, por edhe prindërit, gjyshërit e tyre, të të gjitha besimeve dhe nacionaliteteve që jetojnë në Strugë.

“Me çdo qeveri të re kemi milionerë të ri, me çdo zgjedhje të re kemi milionerë dhe viktima të reja. Ne e dimë se çfarë ka ndodhur më parë. Ka ardhur koha që ne si prindër t’i dërgojmë fëmijët tanë jashtë vendit, duan apo jo, në mënyrë që ata të kenë sistem. Na mungon sistemi, paqja, rregulli dhe disiplina. Na mungon ajo që, fëmijët kur dalin jashtë, nuk duhet të shqetësohemi a kthehen gjallë e shëndoshë. Kemi liri, por nuk kemi paqe”, u shpreh një prind.

“Le të jetë shembull për të gjitha komunat, çfarë po ndodh, duhet të merren masa drastike. Ne po përballemi çdo ditë me probleme të tmerrshme. Kjo është thirrje për të gjitha komunat e vendit që të vënë gishtin në kokë, ata që janë në institucione, të shohim se çfarë po bëjnë dhe çfarë mund të ndodhë. Jemi me fat që nuk kemi klub nate në Strugë. Dikur kishte”, tha një qytetar.

“Ky grumbullim i të rinjve flet shumë se është koha që institucionet e sistemit të marrin përgjegjësi. Ne jemi 30 vjet që po mbytemi në baltë dhe në sistem të kalbur. Populli s’ka rrugëdalje. Ose gjërat do të ndryshojnë ose duhet t’i marrim gjërat në duart tona”, u shpreh një tjetër qytetar.

Marsh paqësor dje u mbajt edhe në Ohër. Nxënësit dhe punonjësit e shkollës Elektromekanike në Ohër kanë dërguar donacion me mjete mjekësore, si dhe batanije, jorgan, jastëk, pizhame dhe peshqirë në Qendrën Klinike në Shkup ku janë shtruar nxënësit e shkollave të mesme të lënduar në Koçan si dhe donacion për Shërbimin e ambulancës në Koçan. Ndihmë kanë dërguar edhe Qendra nefrologjike e Strugës dhe Spitali i përgjithshëm i qytetit të Strugës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button