Zjarri në Koçan, aktualisht 3 ish zyrtarë dyshohen për shpërdorim të detyrës

Zjarri në Koçan, aktualisht 3 ish zyrtarë dyshohen për shpërdorim të detyrës

Gazetar: Suad Bajrami

Ndryshimet kundërthënëse të Kodit Penal në vitin 2023, mund të sjellin në pozitë lehtësuese funksionarët të cilët eventualisht do të ndiqen për shpërdorim detyre për rastin e djegies së klubit të natës “Pulse” në Koçan. Në bazë të nenit 353-v tani për tani sipas ministrit të Punëve të Brendshme, po ndiqen 3 persona megjithatë nuk dihet se si do të zhvillohet hetimi dhe nëse persona të tjerë do të ndiqen mbi këtë bazë. Gjithashtu, do të duhet të shihet edhe dinamika e veprimeve të të dyshuarve.

Darko Avramovskit nga “Koalicioni të Gjithë për Gjykime të Drejta” thotë që ndryshimet skandaloze të Kodit Penal të vitit 2023, jo vetëm që u kanë siguruar dënime më të buta funksionarëve për veprimet e mundshme joligjore, por mund të rrezikojnë dhe vjetërsimin e veprave.

“Ajo praktikisht nënkupton se jo vetëm që do të ketë sanksione shumë më të ulëta për personat eventual që do të konstatohet faji, por mund të ketë qoftë edhe vjetërsim relativ nëse bëhen fjalë për vepra që janë ndërmarrë para një periudhe më të gja…Te 353 dhe 353-v dënimi maksimal është deri më 5 vjet, që do të thotë se vjetrimi relativ këtu është 5 vjet, ndërsa vjetrimi absolut 10 vjet. Pra nëse bëhet fjalë për vepra që bien në atë që është kryer para 5, gjegjësisht 10 vitesh mund të ketë qoftë edhe vjetrim relativ…Nëse bëhet fjalë për situatë kur shteti absolutisht ka harruar të zbatojë mbikëqyrje, kontrolle dhe ta zbatojë hetimin në afatin e parashikuar, hyn në fuqi vjetrimi relativ”, deklaroi Darko Avramovski, Të Gjithë për Gjykime të Drejta.

Megjithatë, mbetet të shihet nëse zyrtarëve të dyshuar për shpërdorim detyre, do t’u ngarkohet edhe vepra tjetër penale sipas nenit 292 “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”, nëpërmjet së cilës do të vlerësohet akti i shumicës së të dyshuarve. Për këtë vepër, dënimi minimal është 3 vjet burg, ndërsa nuk ka kufizim të lartësisë së dënimit.

Nga Koalicioni theksojnë se deri më tani, përvoja tregon se gjyqësori në vend në mënyrë të papërshtatshme ka vepruar ndaj këtyre rasteve.

Prokuroria, gjithashtu do t’i ndjekë të dyshuarit edhe për veprën penale 357 apo për ryshfet, me të cilën parashikohet dënim me burg deri në 10 vjet. Prokuroria, ka paralajmëruar se një pjesë të të dyshuarve do t’i ndjekë për veprën penale sipas nenit 396 në lidhje me çështjen e fishekzjarrëve që kanë shkaktuar djegien e klubit të natës. Sipas dispozitave të këtij neni, dënimet për këtë vepër parashihen deri në 10 vjet burg. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button