Protestë masive kundër Vuçiqit në Nish
Protestë masive kundër Vuçiqit në Nish

Protesta “Edikti Studentor”, protesta e pestë masive e nxitur nga vdekja e 15 personave nga shembja e strehës në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor të vitit të kaluar, filloi sot në Nish dhe do të zgjasë deri në orën tre pas mesnate.
Studentët, në grupe të ndryshme, u nisën në mëngjes nga fakultetet e Nishit drejt qendrës së qytetit, ku do t’u bashkohen qytetarët e Nishit dhe mijëra persona nga vendet përreth dhe e gjithë Serbia. Trafiku në qendër të qytetit është bllokuar, ndërsa përgatitjet për pritjen e mijëra protestuesve kanë nisur që nga mëngjesi, shkruan nova.rs.
Në Nish, studentët arritën mbrëmë nga shumë qytete të Serbisë, pas ditësh marshimi, duke ecur, vrapuar në një ultra-maratonë apo me biçikleta. Pasi përshkuan deri në 200 kilometra në këmbë, ata u pritën me ovacione, fishekzjarrë, qilim të kuq dhe një shpërthim emocionesh. Po kështu, gjatë rrugës u mirëpritën dhe u përcollën me mbështetje në qytetet dhe vendbanimet nga të cilat kaluan, ku banorët u siguruan ushqim dhe freski, ndërsa shumë prej tyre iu bashkuan rrugëtimit drejt Nishit.
Emri i protestës, “Edikti Studentor”, ka një lidhje simbolike me Ediktin e Milanos të perandorit Konstandin i Madh në vitin 313, i cili lindi në Naissusin e atëhershëm, sot Nish, dhe përmes ediktit të tij vendosi barazinë fetare në Perandorinë Romake.
Protesta do të zgjasë 18 orë në mënyrë simbolike, pasi 018 është kodi telefonik i Nishit, por njëkohësisht është edhe një “thirrje për ndryshimin e nevojshëm”, kanë njoftuar studentët e Universitetit të Nishit, organizatorët e tubimit në qytetin e katërt universitar të Serbisë.
Lëvizja studentore ka marrë mbështetje masive në mbarë vendin, ndërsa protesta solidariteti dhe momentet përkujtimore me bllokim trafiku mbahen çdo ditë nga ora 11:52 deri në 12:07, simbolikisht në të njëjtën kohë kur ndodhi shembja fatale e strehës.
Ndryshe, protestës do t’i bashkohen gjatë ditës edhe disa studentë serbë nga Kosova.