Protestë teksa arrestohet i dyshuari për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj

Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin për vrasjen e 18 vjeçares në Ferizaj dy ditë më parë. Ndaj Dardan Krivaqës u morr masa e sigurisë, paraburgim për një muaj, ndërkohë që Prokuroria vijon hetimin për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Shkaqe të dobëta xhelozie po hetohen si pista kryesore. Sipas Gjykatës në Ferizaj, Krivaqa kishte ushtruar dhunë psikologjike ndaj vajzës e më pas e ka goditur fizikisht. Dhuna ka vazhduar gjatë 22 gushtit, kur në ndihmë të aktit makabër, Krivaqës i ka ardhur shoku i tij, Arbër Sejdiu. Dyshohet se pasi e ndjera ka ndërruar jetë, të dy e kanë marrë trupin e saj dhe e kanë lënë para spitalit të Ferizajt.

Lidhur me rastin në Ferizaj, sot në këtë qytet u mbajt një protestë, që u organizua nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore. Protestuesit kërkuan dënimin maksimal për autorin e vrasjes. Bjeshkë Guri tha se rasti i fundit në Ferizaj tregon se në shoqërinë kosovare nuk ka vend të sigurt për gratë dhe vajzat.

“Ky rast i femicidit përveç që është duke shpërfaqur mendësinë dhunuese patriarkale, është tregues i dështimit institucional për ta trajtuar sigurinë e grave me prioritet”, tha Bjeshkë Guri, organizatore e protestës.

Marshit të protestuesve i është bashkuar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila e ka quajtur skandal neglizhencën e trajtimit të rastit  nga gjyqësori, ndërkohë që për Dardan Krivaqën ka pasur aktakuzë që nga viti 2013.

“Krahas dhimbjes së madhe që kemi pasur për humbjen e Marigonës, kemi një skandal të radhës nga sistemi i drejtësisë ku ka mos veprim karshi rasteve kriminale. Është e çuditshme se si një person që është dyshuar apo ka pasur aktakuzën ndjehet i lirë krahas veprave të tjera që ka qenë i dyshuar dhe nuk është mbajtur shqyrtime gjyqësore”, theksoi Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë e Kosovës.

Në reagimin e tij për vrasjen makabre të 18 vjeçares, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka bërë thirrje për ndaljen e dhunës ndaj gruas dhe raportimin e rasteve të dhunës tek organet kompetente.

ALSAT

LEXO EDHE:

Back to top button