Protestuan të punësuarit në Postat e Maqedonisë, kërkuan paga më të larta

Protestuan të punësuarit në Postat e Maqedonisë, kërkuan paga më të larta

Gazetar: Avni Tahiri

Musin Alili është një ndër shumë të punësuar në Postat e Maqedonisë të cilët protestuan para drejtorisë se postave për të kërkuar paga më të larta dhe kushte më të mira për punë.

Musin Alili ka mbi 14 vite përvojë pune si postier, ndërsa me pagën që merr thotë se me 25 mijë denarë në muaj nuk mund të mbulojë as shpenzimet elementare për familjen e tij.

“Arsyeja kryesore është që pagat nuk i kemi marrë ende e ne me atë rrogë mbijetojmë, deri para disa viteve i merrnim me të parin ndërsa ja sot është i 18 dhe ne ende nuk kemi marrë rrogat dhe kjo është arsyeja kryesore që jemi këtu. A mund të të pyes cila është rroga juaj? Rroga është 25 mijë denarë dhe aty përfshihet ushqimi dhe rruga. A mund të ia dalësh me kaq pagë? Jo, është e rëndë. Sipas standardit të tanishëm nuk mund të mbijetosh me aq”, deklaroi Musin Alili, protestues.

Rroga në postë – Ndihmë sociale, ishte njëra ndër mbishkrimet që mbanin në duar të punësuarit të cilët protestuan së bashku me Musinin para drejtorisë së postave të Maqedonisë.

Kryetari i sindikatës së postave Boro Veligdenov ndër të tjerat beri të ditur që mungojnë edhe punëtorë të cilët shkaku i pagave të ulëta nuk pranojnë të punojnë në Postat e Maqedonisë ndërsa në shpalosjen e kërkesave të tyre shtoi se po përballen me mungesë të punëtoreve ndërsa tha se për çdo të punësuar ka nga një shef.

“80% e të punësuarve kanë një mesatare të pagës minimale, ndërsa rroga e shkurtit nuk është paguar ende, pavarësisht se afati ligjor që është data 15. Gjendja financiare e kompanisë është e keqe dhe druajmë se nuk do të ketë pagesa të rregullta. Kjo krizë financiare është rezultat i keqorganizimit të punës në postat e Maqedonisë e shkaktuar nga kuadri politik dhe menaxhimi i cili me vite u përball Posta e Maqedonisë me rishpërndarjen joproduktive dhe punësimet, me çka erdhëm në situatë me mungesë të punëtoreve në procesin teknologjik”, deklaroi Boro Veligdenov, kryetari i Sindikatave të Postave.

Përveç në Shkup, të punësuarit e postave protestuan edhe në Tetovë.

“Pagë nuk kemi, ja sot është 15 kalon , qeveria e ka bërë me vendim, pas 15 të jepen rrogat, ja sot është 18 për atë jemi këtu. 13 vite uniformë nuk kemi pasur, ja uniforma si është sivjet na dhanë uniforma dhe atë të dimrit në pranverë”, u shpreh një protestues.

Sipas sindikatës së postave të Maqedonisë, protesta do të vazhdoje edhe gjatë ditëve në vijim. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button