Protestuesit në Mal të Zi kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja

Protestuesit në Mal të Zi kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të reja

Para Parlamentit të Malit të Zi në Podgoricë më 8 nëntor u organizua një protestë nga Forumi “Luça” dhe u mbështet nga partitë opozitare, në krye me Partinë Demokratike Socialiste të presidentit Millo Gjukanoviq.

Disa qindra protestues u mblodhën nga qytetet mbarë Malit të Zi – duke bartur flamuj kombëtarë, të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës – dhe brohoritën slogane kundër Qeverisë teknike të Dritan Abazoviqit dhe partive që kanë shumicën në Parlament, në krye me Frontin Demokratik pro-rus.

Kërkesa kryesore e protestuesve ishte mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.

Disa nga mbishkrimet që protestuesit bartën thoshin: “Tradhtia nuk është demokraci”, “Nuk ka relaksim me fashizmin”, “Ne jemi këtu për Malin e Zi dhe për BE-në” si dhe “Nuk do t’ua japim Malin e Zi”.

Disa orë para se të niste protesta, makina me flamuj të Malit të Zi, qarkulluan në rrugët kryesore të Podgoricës, duke krijuar radhë të gjata.

Ndërtesa e Parlamentit, Qeverisë dhe institucioneve të tjera kryesore janë ruajtur nga një numër i madh i zyrtarëve policorë, të cilët u pajisën me mjetet e nevojshme për të shpërndarë protestat, ndërkaq para Qeverisë janë parë edhe makina të blinduara.

Po ashtu mes protestuesve dhe ndërtesave të institucioneve janë vendosur rrethoja metalike.

Përveç partisë së Gjukanoviqit, kjo protestë u mbështetë edhe nga parti të tjera më të vogla, sikurse PartiaSocialdemorkate, Socialdemokratët, Partia Liberale dhe parti të tjera, që ftuan mbështetësit e tyre të dalin para Parlamentit.

Organizatorët e protestës thanë se “askush nuk ka të drejtë të qëndrojë i heshtur ndaj anarkisë kushtetuese, ekonomike dhe sociale në Mal të Zi”.

LEXO EDHE:

Back to top button