Provimi pranues/ Mungojnë disa gjykatës, Kushtetuesja tërheq nga rendi i ditës iniciativën e avokatit Ognenovski

Provimi pranues/ Mungojnë disa gjykatës, Kushtetuesja tërheq nga rendi i ditës iniciativën e avokatit Ognenovski

Gazetar: Suad Bajrami

Për shkak mungesës së disa prej gjykatësve, Gjykata Kushtetuese sot e tërhoqi nga rendi i ditës iniciativën e avokatit nga Shkupi Aleksandar Ognenovski, i cili e konteston nenin 45, të Ligjit për Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve në lidhje me provimin pranues të kandidatëve, shkruan Alsat.

“Lënda mbetet dhe do të diskutohet për atë. Është tërhequr vetëm nga seanca e sotme për shkak të mungesës së disa gjykatësve. Meqenëse është lëndë e rëndësishme do të vendoset seancën e radhës kur jenë të gjithë 9 gjykatësit, që çdokush ta tregojë mendimin e tij”, thonë nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas dorëzuesit të iniciativës, ligji ka kundërshtim brenda vetes në lidhje me vlerësimin me pikë të kandidatëve gjatë provimit pranues. Konkretisht, nga testimi me gojë mund të marrë 35 pikë, ndërkaq nga testimi me shkrim 70, pra gjithsej 105 pikë. Kjo, e tejkalon kufirin maksimal të pikëve prej 100, i cili parashikohet me po të njëjtin ligj.

“Me ndryshimin e këtillë të këtij neni, dorëzuesit e iniciativës vlerësojnë se ligjvënësi ka krijuar pasiguri juridike te pjesëmarrësit/kandidatët për pranimin e fillimit të trajnimit në Akademi, gjatë marrjes së notës përfundimtare nga provimi i pranimit i cili fitohet nëpërmjet njehsimit të shumës aritmetike nga pikët të cilët merren nga dy pjesët e provimit pranues”, thuhet në Iniciativën në Gjykatën Kushtetuese.

Miratimi i Ligjit të ri për Akademi të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve shkaktoi reagime të shumta, pasi ligji parashikonte që provimi pranues, përveç formës elektronike, e cila është mënyra e vetme në 10 vitet e kaluara, i njëjti të bëhet edhe në letër.

Opozita, në vazhdimësi ka akuzuar qeverinë se me ndryshimin e këtij ligji, nxiton që t’i punësojë mbi 100 gjyqtarë dhe prokurorë të afërt dhe familjarë të funksionarëve në pushtet.

Gjatë vitit të kaluar, certifikata për gjykatës dhe prokurorë iu dhanë djalit të ish kryeparlamentarit Talat Xhaferi, bashkësortes së prokurorit për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Islam Abazit, djalit të gjykatësit Enver Bexheti, djalit të prokurores Elizabeda Josifovska, bashkëshortes së kreut të Komunës së Aerodromit, Timço Mucunski, por edhe disa nipave e mbesave të funksionarëve tjerë. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button