PSD kërkon shkarkimin e Hysen Durmishit, “vendos fytyrën e tij në 5 euro”

Partia Socialdemokrate (PSD) ka mbajtur sërish një aksion para objektit të Qeverisë së Kosovës, kundër vendosjes së taksës prej 5 eurove për regjistrimin e veturave.

Anëtarët e kësaj partie, vendosën edhe një pankartë kinse 5 euro, e që ishte fytyra e zv.ministri i Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Teuta Rrusta nga PSD-ja para mediave tha se rrugës duke ardhur kanë kuptuar që Durmishi e ka anuluar tenderin për tiketat prej 5 euro.

Ajo tutje tha se Durmishi duhet të shkarkohet dhe të hetohet, pasi që sipas saj, anulimi i tenderit ka ardhur për shkak të presionit të opozitës.

“Rrugës tek po vinim e kuptuam që zëvendësministri ka pezulluar vendimin për tiketat ngjitëse në vetura, pas një presioni të madh të opozitës. Kjo nuk erdhi si rezultat i vëmendjes që të luftohet plaçka e rrallës, por kjo erdhi se aty kishte tendenca që të fshihej hajnia dhe çka nëse nuk do të bëhej e ditur nga mediat dhe do të kalonte në heshtje a do ta ngriste vetë, natyrisht që jo kjo erdhi si rezultat i luftës së përbashkët të spektrit opozitar”.

Ndryshe, ministria e Infrastrukturës njoftoi sot se ka vendosur që të pezulloj vendimin për tiketën prej 5 eurove për regjistrim të automjeteve.

Lajmin e ka bërë të ditur, zv.ministri i Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

“Sot kam marrë vendim që të pezulloj marrëveshjen për tiketa ngjitëse deri në marrjen e vendimit përfundimtar për këtë çështje”, ka thënë ai.

Për vendosjen e taksës kishte kundërshtime të shumta nga partitë opozitare, kurse PSD para disa ditëve ka mbajtur edhe një aksion, ku ishin arrestuar tetë persona.

LEXO EDHE:

Back to top button