Punonjësit e administratës protestuan para Kuvendit

Punonjësit e administratës protestuan para Kuvendit

Gazetare: Andrea Cobanova

Punonjësit e administratës dolën në protestë paralajmëruese për harmonizimin e pagave në përputhje me rritjen e pagës minimale, shkruan Alsat.

Me rritjen e pikëve në kuadër të përgjegjësive të punës dhe arsimin, paga do duhet të rritet edhe në administratë, thonë sindikatat.

Nëse qeveria nuk i përfill kërkesat e tyre, ata do të fillojnë grevë të përgjithshme në vendet e punës në të gjithë administratën.

“Zgjidhja është e thjeshtë – rritja e pikës sipas Ligjit për nëpunës administrativ, dhe problemi do të zgjidhet për gjysmë ore, mos manipuloni me opinionin”, tha Blagoj Rallpovski, kryetar i KLS.

Sindikata e Arsimit mbetet në qëndrimin për grevë të përgjithshme në shkolla dhe kopshte më 11 prill. Për ta, justifikimi i qeveria se nuk ka para nuk mban.

“Kriza na paraqitet si argument përse nuk kanë fonde për të paguar kërkesat tona, kriza nëse është për shtetin, kriza është edhe për familjet tona”, u shpreh Jakim Nedelkov, SASHK.

Paga bazë e punonjësve në kompanitë energjetike është nën pagën minimale, thonë nga sindikata energjetike.

“Si kërkesë e parë e sindikatës është baza për llogaritjen e pagës të jetë paga minimale, e jo shuma prej 11.450 denarë. Respektimi i ligjit për punë ditën e diel, që nuk zbatohet në EMV”, theksoi Vasko Perçakovski, Sindikata e Energjetikës, Minierave dhe Industrisë.

Kërkesë për rritje graduale të pagave ka dërguar edhe Aleanca e Shqiptarëve, duke kërkuar që shteti të respektojë ligjet për rritjen e pagave të tjera që të mos barazohet paga minimale me ata që kanë më shumë përgjegjësi./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button