Putin ka ftuar Vuçiqin për vizitë në Moskë
Putin ka ftuar Vuçiqin për vizitë në Moskë
Presidenti rus, Vladimir Putin e ka ftuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për të vizituar Moskën më 25 maj të vitit tjetër, kur do të shënohet përvjetori i 80-të i fitores në Luftën e Dytë Botërore, transmeton RTS. Kabineti i presidentit të Serbisë, as nuk e ka pohuar, dhe as mohuar këtë informacion. Mes tjerash, Putin është thënë të ketë përmendur në ftesë se ai është i bindur që ruajtja “e kujtesës së fitores së madhe do të forcojë vendosmërinë e përbashkët” për të rritur “bashkëpunimin konstruktiv, me qëllim të garantimit të paqes dhe sigurisë në planet”. Putin e pati ftuar Vuçiqin edhe në samitin BRICS, të mbajtur në tetor, në qytetin rus, Kazan. Megjithatë, Vuçiq nuk i është përgjigjur ftesës, duke thënë se Serbia do të ishte nikoqire e disa mysafirëve të rëndësishëm në atë periudhë. Një delegacion i Qeverisë së Serbisë pati marrë pjesë në samitin BRICS, i cili konsiderohet si përpjekje e Rusisë për të krijuar një kundërpeshë ndaj ndikimit të Perëndimit në botë. BE-ja kishte reaguar pas këtij takimi, duke thënë se të gjitha shtetet që kanë statusin e vendit kandidat për bllokun evropian, “duhet të përmbahen nga kontaktet me Rusinë dhe presidentin e saj”. Ndonëse Serbia e gëzon këtë status, ajo është e vetmja në Ballkanin Perëndimor që nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit për të dënuar Rusinë për luftën e nisur në Ukrainë, dhe vazhdon të kultivojë lidhje me zyrtarët në Moskë. /Alsat.mk