Administrata e re e Polonisë ka njoftuar se po shkarkon drejtuesit e mediave shtetërore që shiheshin gjerësisht si zëdhënëse të qeverisë gjatë tetë viteve në pushtet të partisë populiste të djathtë Ligj dhe Drejtësi (PiS).
Sipas mediave të huaja, shefat dhe bordet e televizionit shtetëror, radios dhe agjencive të lajmeve ishin hequr, tha të mërkurën ministria e kulturës e Polonisë, duke përmendur nevojën për të rivendosur paanshmërinë e tyre.
Mediat shtetërore ishin akuzuar rregullisht për raportime të njëanshme, transmetim të propagandës dhe sulme verbale ndaj opozitës.
Koalicioni i ri qeverisës, i udhëhequr nga kryeministri, Donald Tusk, ishte zotuar se do të përmbushte premtimin e tij të fushatës për të rivendosur televizionin publik.
Dhe të martën ai miratoi një rezolutë që bën thirrje për rivendosjen e “paanësisë dhe besueshmërisë së medias publike”.
Votimi bëri që ligjvënësit e PiS të organizonin një protestë në ndërtesat e televizionit shtetëror.
“Nuk ka demokraci pa pluralizëm mediatik apo media të forta anti-qeveritare, dhe në Poloni këto janë media publike”, u tha gazetarëve në hyrje të ndërtesës së televizionit shtetëror të martën në mbrëmje lideri i PiS, Jarosław Kaczyński.
Kaczyński ishte në mesin e atyre që protestuan, së bashku me ish-kryeministrin Mateusz Morawiecki i cili u pa në mediat sociale duke pozuar për foto me punonjësit e transmetuesit.
Kaczyński tha se politikanët e PiS do të vazhdojnë protestën me turne.








