Qeveria e re nisi funksionimin, Zaev: Do ta përmirësojmë gjendjen ekonomike


Filloi funksionimin Qeveria e re, e cila para mesnatës u votua në Kuvend. Kryeministri, Zoran Zaev theksoi se bashkë me ministrat e kabinetit të tij qeveritar janë të vendosur për ta përmirësuar gjendjen ekonomike të vendit dhe realizimin e përcaktimeve strategjike të vendit, anëtare efikase e NATO-s dhe integrim në BE.

Na bashkon përcaktimi i sinqertë dhe vullneti politik për realizim të prioriteteve strategjike të vendit tonë, të menaxhojmë në mënyrë efikase pandeminë COVID 19 në vendin tonë. Kjo energji është vendosmëri për krijimin e një zhvillimi dinamik të ekonomisë, zhvillim të qëndrueshëm, institucione të fuqishme, rend, drejtësi, shtet efikas të së Drejtës, modernizim të arsimit – tha Zoran Zaev, kryeministër.

Zv/kryeministri i parë dhe Ministër i Sistemit Politik, Artan Grubi paralajmëroi modernizim të administratës në përputhje me standardet evropiane dhe sistematizim të shpejtë të punonjësve që marrin paga, por pa fajin e tyre qëndrojnë në shtëpi.

Nëse e keni lexuar programin e Qeverisë, parashikohet në 6 muajt e parë të bëhet sistematizimi i të gjithë të punësuarve në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit. Uroj që brenda këtyre 6 muajve ose mos më zini për fjalë, për 1 muaj vonesë apo tjetër, por ai sistematizim do të ndodhë dhe do të jetë një nga prioritetet e kësaj Qeverie – deklaroi Artan Grubi, Ministër i Sistemit Politik.

Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq u zotua se do ta kthejë besimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor, përmes një sërë reformash thelbësore që do të mundësonin Sundim të ligjit.

Jam i sigurt se është koha për hapa vendimtarë, për depolitizim dhe pastrim të gjyqësorit dhe Prokurorisë Publike. Është koha për luftë pa kompromis me krimin dhe korrupsionin. Këtë e kishim edhe deri tani, por kornizën ligjore që është miratuar në këtë mandat 3 vjeçar, tani jemi të obliguar ta forcojmë në praktikë. Do të bëjmë gjithçka që ka nevojë që vendi ynë të bëhet shtet i zhvilluar, demokratik, i drejtë, kështu që BE të na bëhet shtëpia jonë – u shpreh Bojan Mariçiq, Ministër i Drejtësisë.

Pas ceremonive të pranim-dorëzimit të posteve, ministrat e rinj shkuan te Presidenti, Stevo Pendarovski. Kreu i shtetit përmes një komunikate theksoi se pret nga përbërja e Qeverisë së re të punojë në çështjet kyçe për vendin, siç është integrimi në BE, lufta kundër korrupsionit, forcimi i ekonomisë dhe përmirësimi i standardit jetësor të qytetarëve.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button