Qeveria në Sofje shpjegon deklaratën e Kiril Petkovit për Maqedoninë
Qeveria në Sofje shpjegon deklaratën e Kiril Petkovit për Maqedoninë
Gazetar: Lluka Andreev
Shefja e kabinetit të kryeministrit bullgar vendosi të japë sqarime shtesë rreth deklaratës së Kiril Petkovit, se procesi i integrimit evropian i vendit duhet të përshpejtohet.
Sipas Lena Borislavova, kryeministri ka pasur fjalën për përshpejtimin e negociatave me Shkupin, shkruan Alsat.
Ky sqarim i plotësues vjen pas takimit të djeshëm të liderëve të partive nga koalicioni qeverisës në Sofje, ku u diskutua për Maqedoninë, si dhe akuzat nga opozita bullgare se Petkov po përgatit tradhti kombëtare.
“Ajo që dua të theksoj është se këtu nuk bëhet fjalë për përshpejtimin e ndonjë procedure, por për procedurën e negociatave që do të çojnë në rezultate reale. Qëndrimi nuk ka ndryshuar. Të dyja vendet po punojnë së bashku dhe ka një dialog të përmirësuar, dhe një dëshirë për të arritur rezultate nga të dyja palët”, tha Lena Borislavova – shefe e kabinetit të Kiril Petkov.
Borislavova po ashtu konfirmoi se Petkov së shpejti do ta takojë komisionerin e BE-së, për Punë të Jashtme Xhosep Borrell në Sofje dhe se në takim do të diskutohet për dialogun me Maqedoninë.
Ndërkaq, nga Shkupi, ministrja austriake për çështje evropiane Karoline Edshtadler shprehu optimizëm se çështja mund të zgjidhet deri në qershor dhe u bëri thirrje qytetarëve të mos zhgënjehen.
“Kam qenë në Sofje në fillim të shkurtit, dhe më duhet t’ju them se u bëra shumë më optimiste pasi isha atje. Kam ndjesinë se kryeministri Petkov, po bën gjithçka që mundet për të adresuar këto çështje dhe sfera që janë të hapura”u shpreh Karoline Edshtadler – Ministre për Çështjet Evropiane të Austrisë.
Petkov para pak ditësh shprehu optimizëm për rezultatin e negociatave, veçanërisht duke pasur parasysh përparimin në Komisionin për Histori. Mirëpo, Qeveria shmangu komentet.
“Rezultatet e arritura në Komisionin për Histori duhet të shpallen nga historianët si pjesëmarrës të drejtpërdrejtë”, tha Bojan Mariçiq – Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.
Historianët do të ulen sërish të enjten në një tryezë të përbashkët, këtë herë në Shkup dhe në rend dite do të jenë periudha e mesjetës dhe Car Samuili./ Alsat.mk








