Ndërmarrja e pyjeve nuk do të ketë kuadër dhe pajisje adekuate për përballje me zjarret

Ndërmarrja e pyjeve nuk do të ketë kuadër dhe pajisje adekuate për përballje me zjarret

Gazetar: Mefail Ismaili

Pavarësisht katastrofave që shkaktuan nga zjarret vitin e kaluar , institucionet nuk kanë bërë asnjë investim për mbrojtjen e pyjeve nga zjarret këtë vit, shkruan Alsat.

Nikollçe Kirov nga Ndërmarrja e “Pyjeve Kombëtare”, thotë se për shkak të pandemisë nuk kanë mundur të ndajnë mjete për të blerë makineri për të ndërhyrë në shuarjen e tyre. Ndërsa për 30 rajone ndërmarrja disa vite më parë  ka siguruar vetëm 19 automjete të reja.

“Në vitet paraprake janë furnizuar 15 automjete për intervenim të parë me pompa të inkuadruara, kemi dy automjete donim prej TIKA-s siç janë xhipa me pompë dhe cisternë dhe kemi dy automjete nga Agjencia zvicerane për zhvillim… këto ishin në vitin 2018, 2019 dhe 2020 ndërsa në vitin 2020-2021 për shkak të Covidit, nuk është bërë furnizim”, tha Nikollço Kirov, N.P. Pyjet Kombëtare.

Kirov thotë se “Pyjet Kombëtare” kanë mungesë të madhe edhe të numrit të punonjësve. Edhe më i vogël është numri i të punësuarve që kanë licenca për shuarjen e zjarreve.

“Njerëz të cilët kanë marrë certifikatë për shuarjen e zjarreve në pyje, kanë gjithsej 150 të punësuar… Shërbimi i rojeve të pyjeve ka nevojë për 300 – 315 njerëz pasi aq janë edhe rajonet në vendin tonë, ndërsa ne disponojmë me 220 persona, do të thotë kemi nevojë së paku edhe për 70 deri në 80 njerëz të cilët njëkohësisht do të punonin edhe për shuarjen e zjarreve në pyje edhe për mbrojtjen nga prerja ilegale e druve”, u shpreh Nikollço Kirov, N.P. Pyjet Kombëtare.

Nga Qeveria pa përgjigje se çfarë masash kanë marrë për mbrojtjen kundër zjarreve për këtë vit dhe sa buxhet kanë ndarë për të pajisur institucionet përkatëse me makineri.

Megjithatë jozyrtarisht mësojmë se Komiteti për Menaxhim me Krizat do të diskutojë edhe për çështjen e ballafaqimit me zjarret dhe pajisjen me makineri të institucioneve.

Vitin e kaluar në vend u regjistruan 204 zjarre nga të cilat u dogjën 12 315 hektarë pyje ose 490 023 m3 dru, ndërsa dëmi i tyre u vlerësua në mbi 38 milion euro./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button