Qindra persona preken në Ugandë nga një sëmundje misterioze
Qindra persona preken në Ugandë nga një sëmundje misterioze
Një sëmundje misterioze, që po i bën pacientët të dridhen në mënyrë të pakontrolluar, ka prekur Ugandën, transmeton “The Sun”.
Sëmundja, që vendasit i referohen “Dinga Dinga” e që përkthehet “dridhje si duke vallëzuar”, ka prekur rreth 300 persona, kryesisht gra dhe vajza, kanë njoftuar autoritetet shëndetësore në Ugandë.
Sëmundja misterioze, e raportuar në qarkun Bundibugyo të Ugandës, shkakton ethe dhe dridhje të forta të trupit, duke e bërë të vështirë ecjen.
Mjeku Kiyita Christopher u ka thënë mediumeve lokale se nuk janë raportuar raste jashtë Bundibugyos dhe se mostrat janë dërguar për analizë te Ministria e Shëndetësisë e Ugandës.
Ai tha se nuk ka pasur viktima nga sëmundja dhe se është e trajtueshme me antibiotikë.
“Pacientët shërohen brenda javës”, ka thënë ai.
Disa janë duke marrë ilaçe bimore për t’i zbutur simptomat, por doktori thotë se nuk rekomandon këtë.
“Nuk ka asnjë provë shkencore që ilaçet bimore mund ta trajtojnë këtë sëmundje”, tha ai.
Christopher i tha gazetës ugandase “Monitor” se kjo sëmundje ishte raportuar për herë të parë në vitin 2023 dhe se ende po hetohet.
Pacientja Patience Katusiime ka treguar përvojën e saj të tmerrshme.
“Ndihesha e dobët dhe sikur e paralizuar, trupi më dridhej në mënyrë të pakontrolluar sa herë që provoja të ecja. Ishte shumë shqetësuese. Më dërguan në spital në Bundibugyo për trajtim dhe falë Zotit jam më mirë”, tha ajo.