Qytetarët ankohen: Festat, me tryezë modeste

Qytetarët ankohen: Festat, me tryezë modeste

Gazetar: Ile Petrevski

Festat më të mëdha, shumica e qytetarëve i festuan me tryeza modeste. Pavarësisht paralajmërimeve se çmimet e ushqimeve do të ulen dhe produktet tradicionale që qytetarët blejnë çdo vit për këto dy festa do të jenë  shumë më të lira, kjo nuk ndodhi. Mishi i viçit arriti çmim prej 850 deri në 1000 denarë për kilogram, pula e freskët shitet deri në 500 denarë për kilogram, çmimet e ëmbëlsirave bakllava ose produkteve të tjera të ngjashme thyejnë rekorde. Qytetarët e anketuar nga Alsat thonë se nuk ka ulje dhe masat janë thjesht populizëm i pastër.

Të njëjtën dhimbje e kishin edhe njerëzit që javën e kaluar festuan Pashkët. Çmimi i mishit të qengjit ka arritur një rekord të lartë në vitet e fundit. Pavarësisht çmimit të ngrirë të vezëve, këtë vit qytetarët thonë se kanë ngjyrosur më pak vezë për festën më të madhe krishtere.

“Është shumë e vështirë për klasën punëtore, me paga të ulëta, me pensione të ulëta, është shumë e vështirë“, tha një qytetar.

“Çmimet janë të njëjta, gjithçka është e njëjtë.” – qytetar.

Pyetje : A kanë pasur efekt masat e Qeverisë?

“Jo, jo, s ‘ka asgjë.” – qytetar

“Dihet se çmimet rriten për Pashkë.”

Pyetje: A keni ngrënë mish qengji këtë vit?

“Kemi ngrënë por 500 denarë për kilogram, aq është”.

Qeveria, në përpjekje për të ulur inflacionin, ka ngrirë çmimet e disa ushqimeve bazë.

“Sipas të gjitha analizave, çmimet, veçanërisht të produkteve ushqimore dhe energjisë, janë plotësisht të stabilizuara dhe kanë trend rënie”, thonë nga qeveria.

Tani për tani, statistikat shtetërore tregojnë se kostot e ushqimit janë rritur me 20 për qind në një vit. Përveç kësaj, shporta e konsumit për të njëjtën periudhë është më e shtrenjtë deri në 15 mijë denarë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button