Rusia gabimisht bombardoi qytetin e saj

Rusia gabimisht bombardoi qytetin e saj

Gazetar: Lluka Andreev

Forcat ushtarake ruse bombarduan qytetin rus të Belgorod, i cili ndodhet pranë kufirit me Ukrainën. Nga Ministria e Mbrojtjes konfirmojnë se, siç thonë ata, ngjarja ka ndodhur aksidentalisht, por megjithatë shtojnë se do të nisin hetime. Sipas informacioneve të publikuara nga mediat vendase, nga shpërthimi i granatës në qendër të qytetit kanë mbetur të plagosur dy persona, si dhe ka pasur dëme materiale në objekte banimi.

Ndërkohë, përderisa betejat në terren janë ende duke vazhduar, veçanërisht në qytetin ukrainas Bahmut, presidenti Volodimir Zelenski përsëri bëri thirrje për pranimin e formulës së paqes, e cila parashikon tërheqjen e trupave ruse nga territori i tyre, dhe më pas të ulen në tryezë të përbashkët për negociatat e paqes.

“Disa liderë nuk e kanë vizituar fare Ukrainën dhe nuk kanë parë se çfarë ka sjellë agresioni rus këtu dhe pse është e rëndësishme të mbrohet jeta. Megjithatë, vetëm për të arritur një lloj populizmi, ata shprehin qëndrim për Ukrainën, se gjoja, ajo nuk është gati të shkojë drejt paqes. Ky është vizion i dëmshëm”, deklaroi Volodimir Zelenski- president i Ukrainës.

Kremlini përsëriti një ditë më parë se qëllimi kryesor i operacionit ushtarak është të pengojnë Ukrainën të bëhet anëtare e NATO-s. Qëndrimi vjen pasi sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike , Jens Stoltenberg, tha në Kiev se Ukraina duhet t’i bashkohet NATO-s. Stoltenberg përsëriti sot se Zelenski e ka mbështetjen e Aleancës dhe shtoi se presidenti ukrainas pranoi ftesën për të marrë pjesë në samitin e ardhshëm të NATO-s në Lituani në korrik.

“Unë pres që aleatët e samitit të NATO-s të angazhohen për të mbështetur Ukrainën për aq kohë sa është e nevojshme me mbështetje të konsiderueshme ushtarake për të siguruar që Ukraina të mbizotërojë si komb sovran dhe i pavarur në Evropë”, u shpreh Jens Stoltenberg– sekretar i përgjithshëm i NATO-s.

Sipas Stoltenbergut, NATO duhet të sigurojë që në të ardhmen Ukraina të transformohet ushtarakisht, përkatësisht të përdorë armë moderne dhe që armët sovjetike të shkojnë në histori.

LEXO EDHE:

Back to top button