Qytetarët e prekur me Covid-19 mund të trajtohen pa pagesë në Serbi dhe Shqipëri

Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia nënshkruan memorandum për luftë të përbashkët kundër Kovid-19. Nëse një shtetas i Maqedonisë sëmuret në Shqipëri ose Serbi, autoritetet e vendeve fqinje duhet t’i sigurojnë kurimin pa pagesë. Kryeministri Zoran Zaev pret që në këtë marrëveshje të përfshihen edhe Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina.

Derisa një qytetar i Maqedonisë së Veriut sëmuret dhe duhet kuruar në Shqipëri ose Serbi atëherë vendet tona fqinje do ta mbulojnë kurimin dhe qytetari jonë nuk paguan nga xhepi i tij. Kjo vlen edhe për qytetarët e Shqipërisë dhe Serbisë”-tha Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Qytetarët e Shqipërisë dhe Serbisë do të lëvizin vetëm me letërnjoftime. Kryeministri shqiptar, Edi Rama tha se kjo marrëveshje afron mes vete shtetasit e dy vendeve.

Shqipëria tani ka lirinë e lëvizjes me të gjitha vendet e rajonit duke përfshi edhe Serbinë me të cilën nënshkruam marrëveshjen për lëvizje të lirë të qytetarëve pa nevojën për dokument tjetër përveç kartës së identitetit. Ky është një hap pozitiv sa është edhe memorandumi i nënshkruar për shkëmbimin e ngarkesave si pasojë e pandemisë”-pohoi Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

Presidenti serb, Aleksander Vuçiq gjeti kohë për fjalë të urta shqipe. Vuçiq tha se memorandumi mbi gjitha lehtëson bashkëpunimin ekonomik.

Me këtë hap afrohet bashkëpunimi mes Tiranës, Shkupit dhe Beogradit. Një fjalë e urtë shqipe thotë “fillimi i mirë është gjysma e suksesit” dhe unë mendoj se ky fillim është mese i mirë. Mendoj se duhet punojmë edhe më shumë se tani dhe më me përkushtim”-tha Aleksander Vuçiq, President i Serbisë.

Memorandumi parashikon sigurimin e numrit të nevojshëm të vaksinave kundër virusit korona dhe lëvizjen e qytetarëve në këto vende pa PCR test.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button