Qytetarët janë mobilizuar për të ndihmuar zonat e prekura nga tërmeti në Turqi dhe Siri

Qytetarët janë mobilizuar për të ndihmuar zonat e prekura nga tërmeti në Turqi dhe Siri

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Në shumë qytete të Maqedonisë, shoqata të ndryshme por dhe vullnetarë prej ditës po grumbullojnë ndihma për zonat e prekur nga tërmeti shkatërrues në Turqi dhe Siri.

Në sheshin e Tetovës dhe në sallën e Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, janë të shumta ndihmat që kanë mbërritur nga qytetarët.

“Ndihmat e grumbulluara nuk do të shkojnë në këtë formë, por do të selektohen të gjitha dhe do të paketohen me mbishkrime se për çfarë moshe dhe gjinie janë. Nevoja më e madhe është për xhupa, kapela shalle doreza dhe ushqime e medikamente të paketuara”, deklaroi Elma Sherifi, kryetare e Këshillit Rinor të Tetovës.

Kreu i komunës së Tetovës Bilall Kasami apeloi për ndihmë edhe në para.

“Ndihmat mund të jenë materiale që janë shumë të nevojshme por edhe mjete financiare për çka është hapur edhe llogaria humanitare nga ana e këshillit të komunës së Tetovës. Kemi organizuar që pagesa e të jetë përmes bankës pra ku kemi siguruar edhe fletëpagesa të plotësuara gati me çka qytetarët do mund të donojnë”, deklaroi Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Më nismë të rinisë së qytetit ndihma po grumbullohen edhe në Gostivar. Sheshi i qytetit dhe salla e sporteve janë stërmbushur.

“Filluam mbrëmë përmes një iniciative rinore dhe për pak kohë pritshmëritë tona u tejkaluan. Gjërat e grumbulluara mbrëmë, ne këtu me rreth 100 të rinj kemi filluar t’i organizojmë. Ushqimet i paketojmë veç, ashtu kemi vepruar edhe me rrobat, ngrohëset, gjësendet për fëmijë, për gratë, pra të gjitha këto i kemi ndarë veç e veç. Pastaj ato do ti vendosim në kamion dhe prej këtu direkt i dërgojmë për në Turqi”, theksoi Enes Menga, një nga organizatorët e aksionit.

Dy pikat në Tetovë dhe Gostivar për grumbullim e ndihmave për të prekurit nga tërmeti në Turqi dhe Siri do të jenë të hapura çdo ditë nga ora dhjetë deri në ora tetëmbëdhjetë deri më 20 shkurt. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button