Qytetarët kritikojnë ashpër videon e Grubit duke luajtur futboll

Qytetarët kritikojnë ashpër videon e Grubit duke luajtur futboll

Gazetar: Mefail Ismaili

Derisa populli po vuan për bukë ministrat po bëjnë jetë luksoze. Kështu e komentojnë qytetarët videon e publikuar nga zëvendëskryeministri Artan Grubi, në të cilën shihen ministrat e BDI-së se si luajnë me top në kabinetin e Grubit. Qytetarët thonë se, derisa shumë vendbanime janë pa salla sporti, e shumë qytetarë nuk kanë çka të hanë, ministrat po tregojnë luks me pikërisht me paratë e qytetarëve.

“Unë vetëm një gjë mund tu them atyre, le ta shohin ku nuk ka fushë sporti le të ndërtojnë. Një Haraçinë me 25 mijë banorë është pa stadium, e ato bëjnë hajgare nëpër parlament e luajnë futboll, për mua kjo nuk është e drejtë… Le të shkojnë le të shohin nëpër katunde shqiptare ku nuk ka stadiume, salla le të ndërtojnë pastaj le të dalin e të luajnë. Edhe varfërinë e dimë se prej ku vjen”.

“Epo disa kanë të hanë e disa jo, a e kërkon i ngopuri të uriturin, asnjëherë…. Deri sa kanë dhen le ti qethin, unë kështu them…”.

“Pikërisht kur populli është i varfër, a ministrat tregojnë se janë në nivel tepër të lartë me para të popullit atëherë kjo është punë shumë e gabuar… Nëse ata kanë zyra edhe fëmijët duhet të kenë salla, diçka sikur ndaluar me ndërtimin e sallave edhe ata që u ndërtuan nuk rinovohen nuk mirëmbahen dhe fëmijët luajnë ku të arrijnë”.

“Për ministrat kisha thënë të kenë më shumë vëmendje më shumë për opinionin”.

“Ata ministra kanë bërë marrëveshje, memorandum me shejtanin, popullata ka bërë memorandum, marrëveshje me melaqet. Kurdo qoftë, Allahu do u ndihmojë këtyre a ata do i shkatërrojë… Nuk punojnë ashtu siç duhet, vetëm manipulojnë e mashtrojnë para votimeve. Më në fund, qytetari është i gënjyer dhe i mashtruar, andaj ka ardhur koha po ikin në Evropë për të punuar”.

Qytetarët thonë se politikanët duhet të jenë në shërbim të popullit dhe jo të krijojnë kushte luksoze për veten e tyre. Ata thonë se ministrat duhet të kenë kushte të mira për punë, por jo të shpenzojnë paratë e qytetarëve për luks, kur çdo ditë, më tepër rritet varfëria në vendin tonë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button