Qytetarët në Shkup-Veri janë pa ngrohje qendrore

Qytetarët në Shkup-Veri janë pa ngrohje qendrore

Gazetar: Ile Petrevski

Shfrytëzuesit e ngrohjes në Shkup-Veri kanë dy ditë që nuk kanë ngrohje. Kjo ngrohtore ishte e para që ndezi ngrohjen qendrore, dhjetë ditë para afatit ligjor, por tashmë nuk ka para për të blerë gaz natyror për prodhimin e energjisë termike. Qytetarët janë të revoltuar dhe thonë se po i paguajnë kot faturat, pasi edhe kur ka pasur radiatorët kanë qenë të vakët dhe kjo u ndodh çdo vit.

“Nuk kemi që nga mëngjesi i djeshëm, në shtëpi është ftohtë. Ne paguajmë gjatë tërë vitit çdo muaj, varet nga sa kemi shpenzuar. Lëviz nga 2500 deri në 2700 denarë”, tha një qytetar.

“Çdo vit kjo ndodh, çdo vit. (Dhe tani rrugëdalja? ) rrugëdalja, po ngrohemi me rrymë”, shtoi një tjetër qytetar.

Ekipi i Alsat-it ka tentuar të kontaktojë me drejtorin e Ngrohtores Shkup Veri, Kushtrim Ramadani, por ai nuk iu përgjigj thirrjeve dhe mesazheve tona. Kur arritëm para ngrohtores, ai u largua me makinë.

“Këto pas meje janë ndërtesat e banimit që janë të lidhura me sistemin energjetik Shkup -Veri. Revolta e këtyre familjeve është më e madhe, sepse kanë investuar mjetet e tyre në instalimin e infrastrukturës për ngrohje. Tani çdo vit, në muajt e dimrit, ata zgjohen me pyetjen, nëse radiatorët në shtëpitë e tyre do të jenë të ftohtë apo të ngrohtë”, raporton gazetari i AlsatM, Ile Petrevski gazetar.

Nga kjo ngrohtore ngrohje marrin rreth 15 ndërtesa publike, përfshirë kopshte, shkolla dhe objekte shëndetësore. Në shkollën fillore “Petar Zdravkovski Penko” na thanë se për shkak të mungesës së ngrohjes, fëmijët kanë pasur orë të shkurtuara.

“Nga 40 minuta kemi vendosur që orët të zgjasin 30 minuta. Në turnin e dytë ku zhvillohet mësimi i ciklit të ulët , shumë prej prindërve nuk i kanë sjellë fëmijët në shkollë”, tha Mukades Edavi mësuese.

Problemi i ngrohtore Shkup Veri ka zgjidhje, EMV thotë se mund ta ndihmojnë financiarisht ngrohtoren private, vetëm me kusht që drejtori Kushtrim Ramadani të nënshkruajë se do t’i kthejë paratë që i ka borxh ngrohtorja.

“SH.A Shkup Veri ka refuzuar nënshkrimin e kontratës, sepse ky subjekt kërkon fonde të pakthyeshme, përkatësisht mendon se duhet t’i paguhet ndihma financiare që nuk duhet ta kthejë. Shkup Veri kërkon subvencionim direkt nga SHA EMV, gjë që kompania jonë as nuk ka bazë ligjore dhe as nuk i lejohet ta bëjë”, thonë nga EMV.

Ngrohtorja Shkup Veri është shoqëri aksionare dhe ka borxh para që vitin e kaluar i ka marrë nga shteti si ndihmë për blerjen e gazit natyror. Drejtori nuk pranon të zotohet për shlyerjen e borxhit dhe nuk pranon të nënshkruajë kontratën.

 

LEXO EDHE:

Back to top button