Qytetarët pa shtetësi, rrezik të mos vaksinohen

Nazyktere Halimi, është njëra nga shumë qytetare e Maqedonisë pa nënshtetësi për të cilët nuk dihet se kur dhe a do të vaksinohen kundër Kovid 19. Ajo është e interesuar për imunizim, por shprehet e shqetësuar se çfarë do të ndodhë me këtë kategori të qytetarëve. Kërkon që institucionet që ajo dhe të tjerët pa shtetësi të trajtohen sikur edhe personat që jetojnë brenda Maqedonisë.

“Jam e interesuar për vaksinim, por meqë unë nuk kam nënshtetësi, nuk e di a kemi edhe ne të drejtë me marrë vaksinën. Unë jetoj që dhjetë vite në Maqedoni, nënshtetësi nuk kam por besoj se edhe unë do ta kem të drejtën ta marr vaksinën”, tha Nazyktere Halimi, qytetare.

Nga Fondi Shëndetësor nuk kanë përgjigje se si do të trajtohen kjo kategori e qytetarëve apo nëse ky institucion do të mbulojë vaksinimin e tyre.

“Ju udhëzojmë që t’ia përcillni pyetjen Ministrisë së Shëndetësisë si përgjegjëse për këtë çështje”, thonë nga Fondi për Sigurim Shëndetësor.

Por, të njëjtën e thonë edhe nga Ministria duke nga udhëzuar që përgjigje të kërkojmë nga Fondi Shëndetësor.

“Ju udhëzojmë që përgjigje të kërkoni nga Fondi për Sigurim Shëndetësor”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Prapa kamerave, Ministri i Shëndetësisë tha se për momentin nuk ka ndonjë plan të posaçëm për vaksinimin e këtyre personave pasi fillimisht do të vaksinohen shtetasit e vendit, e më pas do të shihet se çfarë do të ndodhë me personat pa shtetësi.

Nuk dihet gjithashtu nëse është planifikuar blerja e vaksinave për ta, si dhe rreziku për vendin nëse kjo kategori e qytetarëve do të paraqes “rrezik” për përhapje të virusit. Ndërkohë kategoria tjetër, e atyre që kanë shtetësi të Maqedonisë së Veriut, por që nuk kanë sigurim shëndetësor, do të vlejnë rregullat e njëjta sikur për ata me sigurim. Mjafton që të kenë shtetësi dhe vaksinën ta marrin pa pagesë sikur edhe trajtimin shëndetësor për covid-19. Aktualisht në vend 1,873,891 persona kanë sigurim shëndetësor mirëpo nuk dihet numri i saktë i atyre që nuk janë të siguruar.

Vjollca Aliti                                                              

LEXO EDHE:

Back to top button